Deputeti socialist i Vlorës, Shpëtim Idrizi është larguar nga Partia Socialiste duke ulur në 64 numrin e deputetëve të kësaj force politike në parlamentin e ri.
Idrizi ka themeluar një parti të re, atë për Drejtësi dhe Unitet së bashku me deputetin për Drejtësi dhe Integrim, Dashamir Tahiri. Kjo forcë e re politike do të ketë si pikë orientuese të programit të saj çështjen kombëtare çame.
Shpëtim Idrizi: “Sigurisht që unë nuk kam pasur asnjë pengesë gjatë aktivitetit tim politik dhe brenda Partisë Socialiste që të shprehem për çështjen çame. Por sigurisht që për mua çështja çame është vokacioni kryesor i qenies time në politikë. Partia Socialiste është parti e madhe, ka shumë çështje dhe unë besova që i afrohem zërit të arsyes, zërit të vokacionit tim për të ju bashkuar asaj ndjenje shumë të fuqishme kombëtare e cila ka të bëjë edhe me çështjen çame.”
Forca më e re politike do të përfaqësohet me dy vende në parlament. Të pyetur se për kë do të jenë votat e PDU-së në kuvend Idrizi dhe Tahiri nuk kanë preferuar të japin një përgjigjeje të qartë.
Vetë Tahiri pati deklaruar se mandati i tij është i kësaj mazhorance dhe votat e tij në kuvend do të jenë vetëm pro saj./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka