Shqipëria renditet në krye të vendeve të rajonit përsa i takon aspektit rregullativ në sektorin e aviacionit civil.

Gjatë një takimi ndërkombëtar me temë sigurinë ajrore të zhvilluar në Tiranë drejtori i përgjithshëm i aviacionit civil shqiptar, zoti Ervin Mazniku, pohoi se prej disa vitesh vendi ynë po implementon standardet më të mira evropiane në këtë fushë.

Ervin Mazniku: “Shqipëria paraqitet më mirë…flas Mali i Zi, Serbia dhe Gjermania, madje dhe Kroacia sa i përket bazës rregullative të aviacionit civil. Kodi i aviacionit civil për të cilën u deshën mese tre vjet punë të specialistëve të drejtorisë së përgjithshme të aviacionit civil të Ministrisë së Transporteve dhe ekspertëve të komisionit evropian. Mund të them që është një nga krenaritë e aviacionit civil të Republikës së Shqipërisë. Shqipëria që në vitin 2002 ka nisur rrugën drejt asociimit të institucioneve evropiane dhe aviacionit civil me AAC, pra që është Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit Civil.”

Kjo ishte hera e parë që një takim i organizuar nga Autoriteti i Përbashkët i Aviacionit si pjesë e konferencës së aviacionit civil evropian mbahet në Tiranë.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të 14 shteteve jo anëtare të Bashkimit Evropian.

Qëllimi i tij ishte bashkëpunimi në zbatimin e standardeve dhe procedurave më të mira të sigurisë ajrore./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro