Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil ka ngritur një grup pune për hetimin e ngjarjes së djeshme ku avioni i kompanisë Albania Airlines ndryshoi kursin e fluturimit nga Rinasi për në Bolonja, duke u ulur për arsye ende të paqarta në Bratislavë të Sllovakisë.
110 pasagjerët u gjetën në këtë vend pa u paralajmëruar pasi gjendeshin në fluturim prej afro 3 orësh. Drejtuesit e kompanisë ajrore deklaruan se ulja është bërë nga pilotët sllovak në shenjë proteste pasi nuk kishin marrë pagesën mujore dhe se avioni ishte marrë me qera nga Air Sllovakia. Por shkaqet pritet të zbardhen nga hetimi i aviacionit civil.
Ervin Mazniku: “Momenti kyç do të thosha që avioni ka devijuar rrugën e tij kërkon dhe përgjigje zyrtare serioze. Kemi kontaktuar me Aviacionin Civil Sllovak për të na dhënë më pas sqarimet e duhura. Kemi ngritur grupin e punës që mbrëmë, informacionet kanë qenë operative, jo zyrtare. Gjithsesi jemi në fazën e krijimit të pamjes së përgjithshme sa i përket ndodhisë së djeshme. Në bazë të konventë së Tokios, republika sllovake është shteti përgjegjës për kompaninë në fjalë.”
Burime pranë drejtorisë së përgjithshme të aviacionit civil bëjnë me dije se nëse ulja është bërë për arsye të tjera përveç atyre ku siguria e udhëtarëve mund të ketë qenë në rrezik, atëherë piloti mund të hetohet penalisht.
Ndërsa pritet që këto shkaqe të dalin në dritë, ata që u prekën direkt nga kjo ngjarje e pa precedent, ishin udhëtarët, të cilët kanë udhëtuar me një tjetër avion pas 24 orësh./tvklan.al