Përfaqësues të Policisë Shqiptare morën pjesë në Konventën e Shefave të Policive Evropiane, mbajtur në selinë e EUROPOL në Hagë më 6 dhe 7 shtator. Që prej organizimit të Konventës së Parë në vitin 2011, konventa e këtij viti ishte mbledhja më e madhe e shefave të Policive dhe përfaqësuesve të lartë nga autoritetet e zbatimit të ligjit. Ajo shënoi pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 6 organizata të BE-së (Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës, FRONTEX, CEPOL, EUIPO dhe EUNAVFOR MED), 8 institucione ndërkombëtare (INTERPOL, Euromed Police, Organizata Botërore e Doganave, UNHCR, Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Policisë (IACP), Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migracionit (ICMPD), Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCCPOL) dhe Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional), së bashku me ekspertë nga sektori privat dhe akademik.

Eventi u mikprit nga EUROPOL dhe Policia e Estonisë, shtet i cili mban Presidencën e Këshillit të BE-së. Policia Shqiptare përfaqësohej nga një delegacion i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako, Shefi i Zyrës Kombëtare Europol së Shtetit Andi Likaj dhe Oficeri i Kontaktit pranë Europol Edi Voshtina.

Pjesëmarrësit diskutuan çështje kryesore lidhur me sigurinë e BE-së dhe më gjerë, përfshirë: përhapjen në Internet të propagandës ekstremiste, terroriste dhe të dhunshme dhe reagimin e ligjzbatuesve; përdorimin e inteligjencës financiare si një mjet kritik për hetimet e suksesshme kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar; krimin në epokën e teknologjisë; krimin kompjuterik; dhe kontrabandimin e emigrantëve.

”Kompleksiteti i kërcënimeve me të cilat përballemi, veçanërisht në këtë moshë të teknologjisë, kërkon bashkëpunim të fuqishëm ndërkufitar për zbatimin e ligjit. EPCC-ja 2017 ofron një platformë unike për vendet anëtare të BE-së dhe ato partnere, për të forcuar bashkëpunimin tonë dhe për të trajtuar së bashku sfidat më të mëdha me të cilat përballen sot ligjzbatuesit”,

tha Drejtori i Europol, Rob Wainwright. Në total 146 takime dypalëshe dhe shumëpalëshe, me përfshirjen e 1400 pjesëmarrësve, u zhvilluan gjatë Konventës së këtij viti.

Në kuadrin e takimeve dy palëshe, nga ana e delegacionit të Policisë Shqiptare u zhvilluan pesë takime të nivelit të lartë me drejtuesit e policive të vendeve si vijon: Itali, Greqi, Spanjë, Francë dhe Holandë.

Në qendër të diskutimeve me palën italiane ishte rritja e bashkëpunimit dypalësh, përkatësisht: në luftën kundër krimit te organizuar dhe trafiqeve te ndryshme, sidomos ato të lëndëve narkotike në kufirin midis dy vendeve; në vazhdimin dhe intensifikimin e monitorimit të territorit lidhur me kultivimin e lëndëve narkotike; në lidhje me personat në kërkim ndërkombëtar që fshihen në territoret e shteteve respektive, etj.

Në takimin me delegacionin e policisë greke u diskutua intensifikimi i bashkëpunimit ndërpolicor, përkatësisht: në luftën kundër trafiqeve të ndryshme ndërkufitare, sidomos të narkotikëve: në lidhje me masat e marra për parandalimin e flukseve migratore (veçanërisht ato të vendeve të treta të cilat kanë si trend lëvizjen nga Greqia për në vendet e BE-se duke tentuar të kalojnë edhe nëpërmjet kufirit Shqiptar). Gjithashtu u diskutua në lidhje me hapat e ndërmarra dhe veprimet e kryera deri më tani nga të dy palët në lidhje me Qendrën e Përbashkët Policore që pritet të ngrihet dhe të funksionojë në pikën kufitare Kakavijë, si dhe rritjen e bashkëpunimit 2 palësh në lidhje me personat në kërkim ndërkombëtar që fshihen në territoret e shteteve respektive, etj.

Në takimin me delegacionin e policisë franceze u diskutua parandalimi i azilkërkuesve shqiptarë me destinacion vendet evropiane, veçanërisht Francën. “Bashkëpunimi me Policinë Shqiptare ka sjellë rënien e numrit të shtetasve shqiptarë që kërkojnë azil në Francë”, shprehu me vlerësim të lartë kryesuesi i delegacionit francez, Jean – Philippe Lecouffe, Drejtor i Policisë Gjyqësore në Xhandarmerinë Kombëtare Franceze. Ndërsa bashkëpunimi ndërpolicor u diskutua dhe lidhur me goditjen e grupeve kriminale shqipfolëse të cilat operojnë në territorin francez, duke dakordësuar ngritjen e grupeve hetimore të përbashkëta, me qëllim hetimin, dërgimin para organeve të drejtësisë të autorëve të këtyre veprave penale, si dhe dhe sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale që burojnë prej tyre.

Në qendër të diskutimeve me delegacionin e policisë holandeze ishte intensifikimi i bashkëpunimit policor dypalësh, së pari në luftën ndaj krimit të organizuar, sidomos të organizatave kriminale shqipfolëse të cilat operojnë kryesisht në trafikimin e lëndëve narkotike (kokainë) nga Holanda në drejtim të vendeve të tjera evropiane; së dyti në identifikimin dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, të cilët fshihen në territorin holandez. Homologët holandezë u angazhuan në një shkëmbim më të lartë informacioni me palën shqiptare, ndërsa u dakordësua ngritja e grupeve hetimore të përbashkëta.

Gjatë takimit të zhvilluar me delegacionin e policisë spanjolle u diskutua rritja e bashkëpunimit në identifikimin dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar që fshihen në territorin spanjoll: në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të tjera, duke realizuar edhe operacione të përbashkëta ndërpolicor: në identifikimin e kontingjentit kriminal shqipfolës, etj.

Në të gjitha takimet dy palëshe të zhvilluara nga delegacioni shqiptar, u kërkua mbështetja e partnerëve tanë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës si shtet anëtar i organizatës ndërkombëtare policore INTERPOL, pasi së shpejti në Pekin do të zhvillohet Konventa e Interpolit, ku do të diskutohet dhe votohet anëtarësimi i Kosovës dhe Palestinës në këtë organizatë./tvklan.al