Shtetet e Bashkuara të Amerikës inkurajojnë Shqipërinë në fushën ushtarake ndërsa vlerësojnë se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO në 4 prill, do të luajë një rol kyç si faktor për vendet e tjera të rajonit që aspirojnë anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Zv/Ambasadori i SHBA në Tiranë Cristina e ka përcjellë këtë mesazh në takimin për “60 vjetorin e krijimit të NATO-s në të mirë të sigurisë ndërkombëtare”.

Stephen Cristina: “Shqipëria dhe Kroacia do të bëhen anëtare të NATO-s më 4 prill. Ato do të bëhen faktor kyç për vendet e rajonit që aspirojnë anëtarësimin. Ne inkurajojmë Shqipërinë dhe Kroacinë që të kontribuojnë në fushën ushtarake me vendet e NATO-s”.

Nga ana tjetër kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, vlerësuan se anëtarësimi në NATO është një arritje e merituar pas një pune të madhe dhe reformash të suksesshme.

Jozefina Topalli: “Shqipëria përshëndetet si anëtare me të drejta të plota të NATO-s dhe kjo është sepse ne ja dolëm të fitojmë vlerësimin e vendeve anëtare të aleancës, të jemi të aftë të bëjmë reforma, të kemi sukses, të realizojmë ndryshime, të marrim angazhime dhe të marrim kontribute”.

Lulzim Basha: “Vetëm pak vjet më parë askush nuk do të guxonte të mendonte se edhe Shqipëria,  vendi që përmendet kryesisht për trafiqe, korrupsioni dhe paaftësinë për t’u përballur me krimin e organizuar, do të përfshihej në kremtimet e 60 vjetorit të themelimit të aleancës si anëtare me të drejta të plota të saj, si shtet me dinjitet të barabartë mes partnerëve tanë”.  

Takimin e ka përshëndetur edhe zv/Ministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, i cili tha se Forcat e Armatosura Shqiptare po përgatiten t’i përgjigjen dinamikës së NATO-s./tvklan.al

Gazetare: Xhumelina Dervishi