I gjithë territori shqiptar është përfshirë këtë të premte nga stuhi shiu. Intensiteti i lartë i reshjeve është shoqëruar me problematika në disa zona, kryesisht në ultësirën perëndimore të vendit. Efekte problematike më të mëdha u vërejtën në Vlorë.
Rrugët e qytetit u bllokuan dhe niveli i ujit kishte arritur mbi 50 centimetra. Kjo vështirësoi ecjen e qytetarëve, por edhe lëvizjen e makinave. Rruga lidhëse e autostradës Vlorë-Fier me Transballkaniken u përmbyt nga reshjet e dendura.
Si rezultat i rritjes së nivelit, uji ka hyrë në disa banesa e dyqane. Brenda kësaj farmacie ngecën pronarët e saj në rrugën “Albano dhe Romina” dhe u desh ndërhyrja e zjarrëfikësve për t’i nxjerrë jashtë.
Bashkia Vlorë u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes që të mos parkojnë në disa rrugë kryesore të qytetit, pasi pritet që edhe reshjet të vijojnë me intensitet.
Situata problematike u vërejt edhe Lushnje, por pasdite intensiteti i reshjeve ra dhe uji po tërhiqet nga rrugët. Punonjës të bashkisë po pastrojnë nga bllokimet pusetat e akseve rrugore.
Paraditen e së premtes reshjet e dendura shkaktuan probleme edhe në qytete të tjera si Shkodër, Lezhë dhe Durrës, por situata u përmirësua pasdite.
Sipas njoftimeve zyrtare, shërbimet e emergjencës po punojnë në terren për normalizimin e situatës.
Parashikimet e Meteoalb tregojnë se moti do të nisë të përmirësohet gjatë mbrëmjes së kësaj të premteje, duke bërë që të shtunën dhe të dielën të ketë reshje të pakta shiu.
Tv Klan