Kombëtarja shqiptare U-19, bindi në dy miqësoret ndaj Malit të Zi, duke fituar 3-2 dhe 2-0. Dy fitore, që vinë para kualifikueseve të Europianit “Rumani 2025”.
Trajneri i kuqezinjve, Julian Ahmataj, i cilësoi si të rëndësishme dy miqësoret, ndërsa deklaroi se ekipi duhet të japë maksimumin për ndeshjet kualifikuese.
“Ndeshjet shkuan mirë pasi përpos rezultatit që arritëm t’i fitonim na jep më tepër kurajë dhe besim për ndeshjet e nëntorit. Të gjithë kundërshtarët janë të fortë, por ne duhet të bëjmë lojën tonë, të luajmë dhe të krijojmë mundësitë. Duhet të bëjmë maksimumin tonë për të dhënë më të mirën. Nëse ne e japim më të mirën, gjithmonë jemi më të fortë kur jemi bashkë.”
Ahmataj theksoi se është një shtysë e madhe për ekipin që ndeshjet kualifikuese do të luhen në Shqipëri.
“Ky është një bonus psikologjik për skuadrën dhe për të gjithë lojtarët që të kenë kënaqësinë që të luajnë përpara njerëzve të tyre në vendin e tyre. Pa diskutim i jep lojtarëve një shtysë më tepër dhe është një arritje e madhe për ne që t’i luajmë ndeshjet në shtëpi. Do të tentojmë që të japim më të mirën para gjithë publikut shqiptar. Objektivi është që ne të kalojmë grupin dhe të shkojmë në “Elite Round”, ky është objektiv minimal”, deklaroi Julian Ahmataj.
Shqipëria U-19 ndodhet në grupin 11 së bashku me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut, ndërsa ndeshjet e këtij grupi do të luhen në vendin tonë nën organizimin e Federatës së Futbollit. /tvklan.al