Shqiptarët e Maqedonisë mund të kërkojnë krijimin e një shteti të ri në pjesët e Maqedonisë ku ata jetojnë, në rast se maqedonasit nuk pranojnë marrëveshje të re me shqiptarët.

Me një vlerësim të këtillë është paraqitur kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, pas takimit me anëtarët e komisionit partiak, i cili është formuar të përpilojë një propozim-marrëveshje të re për bashkëjetesë mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Menduh Thaçi: “Qëllimi kryesor i këtij dokumenti është preventivi dhe parandalimi i asaj që Maqedonia mund të shpërbëhet. Po u refuzua kjo preventivë e fundit, atëherë kapacitetet dhe energjitë e shqiptarëve në Maqedoni do të jenë për krijimin e shtetit shqiptar në Maqedoni. Ato etiketat e tjera Bashkimi me Shqipërinë do të vijnë. Në anën tjetër gjithë ky pretenciozitet i konjukturës politike maqedonase, ky dokument e ruan atë dhe popullin maqedonas prej këtij pretencioziteti”.

PDSH ka dalë me idenë për marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve, me arsyetim se marrëveshja e Ohrit që u nënshkrua pas konfliktit të vitit 2001, ka dështuar.

Me propozim marrëveshjen e re që do të përbëhet prej 15 pikave, PDSH kërkon barazi të plotë mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Menduh Thaçi: “Një ndër çështjet është propozimi për deetnizim të simboleve shtetërore. Është shtet multietnik, nuk duhet të ketë simbolika qoftë flamur, stemë, himn e kështu me radhë. Decentralizimi i vërtet, riorganizimi territorial i pushtetit lokal që duhet t’i përmbushë qëllimet apo parametrat demografikë, gjeografikë, parametrat e ndryshëm deri te ndarja e vërtet e buxhetit në aspektin rajonal, por në aspektin edhe të qytetarëve dhe shumë e shumë çështje të tjera.”

Nga ana tjetër kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka kundërshtuar kërkesat e para disa ditëve të disa partive jashtëparlamentare shqiptare, të cilat përmes një proteste në Shkup kërkuan federalizim të Maqedonisë.

Thaçi vlerëson se në rast dështon ideja për barabarësi të plotë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, varianti i ardhshëm do të mund të ishte vetëm krijimi i shtetit të ri shqiptar. Nga Shkupi për TV  Klan, Isen Saliu./tvklan.al

Gazetar: Isen Saliu