Prokuroria e Posaçme ka dhënë informacion për një operacion të zhvilluar në bashkëpunim me Antimafian e Firences kundër një grupi që akuzohet për pastrim parash, mashtrim e fatura fiktive. Bëhet fjalë për një operacion të nisur në fillim të kësaj jave nga autoritetet fqinje, në të cilin u zbulua një grup që dyshohet se prej 2012-s ka investuar në prona të shumta kryesisht në qendër të Firenzes, me qëllim pastrimin e parave.

“Në bashkëpunim me prokurorinë publike të Firences, koordinuar nga Eurojust, janë kryer kontrolle në 4 qytete të Shqipërisë dhe 23 kontrolle në disa qytete të Italisë. Është zbuluar një investim prej 13.5 milionë euro në 31 restorante, 2 hotele dhe biznese të tjera të ndryshme. Hetimi po vijon në mbledhjen e provave dhe përgjegjësisë penale të subjekteve nën hetim”, thotë SPAK në një reagim në X.

Sipas mediave italiane, nën hetim për këtë rast janë 9 persona, mes të cilëve ish-portieri i Fiorentinës dhe Napolit, Giuseppe Taglialatela, 55 vjeç, aktualisht drejtues ligjor i klubit amator të futbollit, Ischia. Po ashtu, shqiptari Eluert Kamami 40 vjeç dhe Alessandro Bigi, 49-vjeç, të cilët akuzohen si drejtuesi të kësaj organizate kriminale. Deri më tani, Antimafia ka sekuestruar 8 restorante në qendrën historike të Firenzes.

Hetuesit besojnë se grupi në fjalë, prej 2012-s e deri më sot, ka mundur të blejë 31 restorante, pjesa më e madhe në qendër të Firences, 2 hotele etj, me anë të mashtrimit me tatimet e faturave fiktive.  

Sipas akuzës, Kamami dhe Bigi kishin krijuar një organizatë kriminale ku nuk deklaronin fitimet reale që vinin nga bizneset e tyre. Me paratë në të zezë arritën që të blinin edhe numrin e madh të bizneseve në fjalë. Hetuesit besojnë se grupi ka mundur që të përfitojë të paktën 1 milion e gjysmë euro kesh.

Mediat fqinje raportojnë se edhe aksionet e klubit të futbollit dyshohet se u blenë me të ardhura të paligjshme./tvklan.al