Plot 40 minuta frikë kanë përjetuar pasagjerët e fluturimit të orës 16:45 të nisur nga Tirana me destinacion aeroportin e Fiumicino në Romë. Një qytetar shqiptar rreth 30 vjeç, pasagjer në aeroplan, filloi të bërtiste dhe të bënte kërcënime pak minuta pasi avioni ishte ngritur në fluturim. Për shkak të momenteve të vështira, aeroplani bëri ulje të detyruar në Pescara, raportojnë mediat italiane, ku pasagjeri shqiptar u arrestua.
Para se avioni të ulej, ai kishte qëlluar disa herë në fytyrë babain e tij, i cili ishte gjithashtu pasagjer në avion. Disa udhëtarë dhe anëtarë të stafit ndërhynë për të qetësuar shqiptarin, por ky i fundit u acarua më tepër. Duke parë se situata po rëndohej akoma më shumë dhe shqiptari po godiste vazhdimisht babain e tij të moshuar, ndërhyri njëri prej pasagjerëve që ishte ulur afër me të. Ai arriti ta qetësonte dhe e bëri që të fliste për problemet e tij personale.
Pasi aeroplani bëri ulje të detyruar në Pescara, shqiptari u arrestua kurse babai i tij u dërgua në spital për trajtim mjekësor. Nuk dihen arsyet që shkaktuan reagimin e ashpër të pasagjerit shqiptar, por besohet të kenë qenë problemet e tij personale. /tvklan.al