Buxheti i Kosovës u ndanë më shumë se 4 milionë euro në vit partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Në përbërjen aktuale të Kuvendit, përfaqësohen 13 parti politike.

Shuma e mjeteve për financimin e aktiviteteve të subjekteve politike bëhet në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës, në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë për rubrikën e  përjavshme “Fokus”, bëjnë të ditur se pagesa e partive politike bëhet sipas Ligjit për financimin e subjekteve politike.

“Ndarjet e buxhetit për financimin e partive politike, sipas Ligjit të buxhetit është në nën-programin ‘Fondi për mbështetjen e partive politike’, kategoria ekonomike subvencione dhe transferta nga 4,200,000 euro në total për të gjitha partitë politike për një vit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Mënyra e shpenzimit të këtyre mjeteve të buxhetit të shtetit, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, vazhdon të mbetet çështje e diskutueshme. Ata thonë se partitë politike i shmangen publikimit të burimeve të financimit dhe qarkullimit financiar.

Artan Canhasi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se subjektet politike, duke përjashtuar këtu Lëvizjen Vetëvendosje, e cila i bën publike këto shpenzime, kryesisht nuk i publikojnë këto të dhëna.

“Ka katër vjet që partitë politike nuk i publikojnë këto para dhe paratë tjera që vijnë nga kontributet e ligjshme. Në këtë drejtim, përgjigjja e shkurtër do të ishte, se nuk e dimë se çfarë po ndodh, nuk e dimë se kush i shpenzon paratë e taksapaguesve të Kosovës, nuk e dimë se si dhe për çfarë qëllime shpenzohen këto para dhe a shfrytëzohen ligjshëm këto mjete”, thekson Canhasi.

Përveç mjeteve që u ndahen nga buxheti i Kosovës, partitë politike financohen edhe nga burime tjera, që sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, në të shumtën e rasteve këto burime janë nga disa kompani private, të cilat më pas shpërblehen me dhënien e tenderëve publikë nga partia që e fiton pushtetin.

Megjithatë, disa nga partitë politike kanë dhënë prononcime për Radion Evropa e Lirë rreth mënyrës së shpenzimit të këtyre mjeteve.

Si fituese e zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës prin për kah shuma e mjeteve që i ndahet nga buxheti. Kësaj partie, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në vitin 2016 i janë ndarë 1.290,00 euro.

Basri Musmurati, sekretar i kësaj partie në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se të gjitha këto mjete shpenzohen nëpërmjet projekteve që përgatiten paraprakisht.

“Këto mjete shpenzohen për të mbajtur gjallë subjektin politik në disa mënyra, disa mjete shpenzohen për çështje të ndryshme të brendshme të partisë, disa për paga, disa shpenzohen për të paguar administratorët në secilin degë të partisë, një pjesë e mjete shpenzohen për Grupin Parlamentar të PDK-së, disa mjete shpenzohen për aktivitete politik që mbahen në terren, seminare të ndryshme, ku shtrohen tema të ndryshme”, bën të ditur Musmurati.

Sipas tij, në çdo fund vit e bëjnë raportin financiar dhe e dorëzojnë në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Subjekti tjetër politik që financohet nga buxheti i Kosovës, është Lidhja Demokratike e Kosovës. Kësaj partie, sipas KQZ-së në vitin 2016 i janë ndarë 1.050,00 euro.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë zyrtarë të kësaj partie nuk u janë përgjigjur thirrjeve.

Ndërkohë, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, thonë që çdo herë publikojnë raportet e tyre dhe se janë transparentë në shpenzimin e mjeteve të buxhetit të shtetit.

Kësaj partie, nga Fondi për Mbështetjen e Partive Politike në vitin 2016 i janë ndarë 560 mijë euro.

Shkodran Hoti, nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se sa i përket shpenzimeve të partisë, gjithçka është transparente dhe ato janë të detajuara në ueb-faqen e tyre zyrtare dhe sipas tij “nuk ka asgjë që fshihet nga publiku apo nga institucionet përkatëse”.

“Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i vetëm që i ka bërë publike të hyrat edhe shpenzimet e saj. Ato janë të publikuara në ueb faqen tonë. Të gjitha shpenzimet janë të detajuar dhe kryesisht janë shpenzime që bëhen për pagesa të zyrave dhe për aktivitet të ndryshme të partisë”, thekson Hoti.

Në anën tjetër, sekretari ekzekutiv i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Valon Tolaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se AAK-ja për vitin 2016 është financuar nga buxheti i Kosovës nëpërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me shumën prej rreth 380 mijë eurosh.

Nga kjo shumë, shpjegon Tolaj, në bazë të Ligjit mbi financimin e subjekteve politike, 10 për qind e mjeteve i takojnë Grupit Parlamentar të AAK-së, të cilat mjete menaxhohen nga vetë Grupi Parlamentar dhe KQZ-ja.

“Rreth 85 për qind e buxhetit shpenzohen për paga dhe mëditje, ndërsa pjesa tjetër shpenzohen për blerje të mallrave dhe shërbimeve, reprezentacion, mirëmbajtje të zyrave dhe objekteve dhe mbulim të aktiviteteve për selinë dhe degët e AAK-së”, bën të ditur Tolaj.

Ai thekson se zyra e financave e AAK-së, në afatin maksimal prej një muaji, ashtu siç parashikohet me Ligjin në fuqi, do të hartojë dhe dorëzojë në KQZ raportin vjetor financiar dhe i njëjti do të publikohet edhe në ueb-faqen e AAK-së.

Në bazë të Ligjit për financimin e subjekteve politike, partitë janë të obliguara që të publikojnë për çdo vit raportin vjetor financiar, që duhet të përmbajë bilancin e gjendjes, pasqyrën e fitimit të humbjes, që tregon të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë. Raporti vjetor financiar i vitit paraprak duhet të mbetet i publikuar së paku një vit në faqet e përkatëse zyrtare.

Financimi transparent i partive politike është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër Raportet e Progresit që publikon Komisioni Evropian.

Edhe “Transparency International”, në një nga raportet e publikuara kishte tërhequr vërejtjen se situata është përkeqësuar nga mbikëqyrja e dobët dhe transparenca e kufizuar e partive politike.(REL)