Lezha është kthyer kohët e fundit në një prej qyteteve më të pasigurta në vend. Ngjarja e dy ditëve më parë, kur një makinë e postës shqiptare u grabit nga njerëz me maska e të armatosur, në mes të qytetit, ka rritur shqetësimin tek banorët. Ata ndihen të pambrojtur dhe të kërcënuar dhe shumë prej tyre shprehen se policia po favorizon kriminelet, madje jo në pak raste duke u bërë palë me ta.
Qytetari 1: “Këtu ka një pasiguri te popullata, se shteti duhet që ti kapi kriminelët, por këtu ku dora e shtetit bashkëvepron megjithëse ata thonë ikën në drejtim të paditur kanë gjetur një zakon ikën në drejtim të paditur.”
Qytetari 2: “Siguri tani 18 vjet nuk ka pasur ky vend as nuk ka me pas as 18 vjet të tjera.”
Gazetari: “Besoni që policia e shtetit është treguar neglizhente për kapjen e këtyre autorëve kur dihet se Lezha është një qytet i vogël?”
Qytetari 2: “Bashkëpunojnë bashkë, janë kushërinj.”
Qytetari 3: “Rendi këtu nuk shikon dhe nuk është në mbrojtje të qytetarëve. Këtu mund të vjedhin, mund të grabisin në çdo mënyrë dhe në çdo kohë veç rastësia i shpëton njerëzit.”
Ngjarja që tronditi paraditen e së enjtes qytetin e vogël ka ngritur shumë pikëpyetje mbi parametrat e sigurisë dhe rendit publik. Ajo ndodhi në mes të ditës dhe në bulevardin e vetëm të qytetit. Ky aks, që përbën itinerarin kryesor të patrullimit policisë, çuditërisht, paraditen e se enjtes nuk kishte asnjë mbikëqyrje nga uniformat blu.
Ndoshta për indiference, neglizhence apo paaftësi të drejtuesve te saj, policia u la terren tre keqbërësve të grabisin me armë, në qendër të qytetit, tre punonjës të postës shqiptare.
Madje ata patën kohë të largohen pa u shqetësuar nga askush, duke dhënë shembullin se policia e Lezhës nuk mund të parandalojë dhe as të reagojë në kohë ndaj ngjarjeve që kërcënojnë sigurinë e qytetarëve./tvklan.al