Brezat më të vjetër preferojnë që çiftet e reja të kenë privatësinë dhe rehatinë e tyre. Ky është mendimi i Glanduela Lecit, së ftuarës në programin “Shije Shtëpie”  në Tv Klan që bazohet në pëvojën e saj me nënën e partnerit apo “vjehrrën” siç e quan ajo.

Ajo tregon për raportin që ka ndërtuar me të, edhe pse fizikisht ndodhen larg pasi nëna e partnerit jeton në Gjermani. Glanduela shprehet se më parë ajo nuk kishte shkelur kurrë në shtëpinë e të birit për shkak të sjelljeve të ish-partnereve dhe qëndronte në hotel. Ajo shton se ka preferuar që ta ndryshojë këtë dhe e fton vjehrrën që të rrijë me ta sa herë që shkon për t’i vizituar.

Glanduela Leci: Nga eksperienca ime personale, kam marrë atë iniciativën e parë që pavarësisht se vjehrra ime jeton në një vend tjetër, në Gjermani, gjatë gjithë kohës unë e ftoj të vijë te shtëpia ime. Nuk dua që ajo të qëndrojë në hotel. Më përpara, gjatë gjithë kohës ajo qëndronte në hotel, nuk qëndronte asnjëherë te shtëpia e djalit të saj dhe realisht…

Katerina Trungu: Para se të ishit bashkë?

Glanduela Leci: Para se të ishim ne bashkë sepse personi që unë bashkëjetoj aktualisht ka pasur edhe marrëdhënie të tjera, goxha të gjata dhe nga ajo që kam dëgjuar unë, realisht jam shokuar sepse nuk ia kishte parë derën e shtëpisë djalit.

Ermelinda Ndoja: Pra nuk ka qenë një vjehrrë e mirëpritur në shtëpinë e djalit.

Glanduela Leci: Ka qenë më mirë t’i merrnin një hotel, të qëndronte në hotel sesa të qëndronte në shtëpi.

Katerina Trungu: Meqenëse hyre vetë në këtë diskutim, djali nga ana tjetër, binte dakord, ishte vendim edhe i tij apo ishte i kushtëzuar?

Glanduela Leci: Mund të them që ka qenë deri diku edhe i kushtëzuar sepse normalisht personat ndikohen edhe nga partneri që kanë afër, nuk duan t’i prishin rehatinë, sidomos kur janë rritur me një mentalitet totalisht ndryshe nga ai që ne jemi rritur, që privatësinë e kanë të shenjtë dhe sidomos kur janë mundësitë ekonomike që ti i ke mundësitë ekonomike që vjehrrës ose nënës t’i marrësh një hotel,  edhe më luksozin por duhet të marrësh parasysh edhe kë ke nënë, edhe si është rritur ajo nëna jote, edhe si është rritur ajo vjehrra jote sepse mund të kesh vjehrra që realisht nuk duan të qëndrojnë  fare në shtëpi, janë më rehat, më luks në një hotel,sidomos kur janë mundësitë e mira ekonomike, ke të tjera që duan ngrohtësinë, duan që kur çohen në mëngjes t’i gatuajnë një gjë të vogël djalit, ose në darkë, sikur edhe dy ditë që qëndrojnë aty duan të ndihen në shtëpinë e djalit të tyre si në shtëpinë e vet./tvklan.al