Siguria kibernetike mbetet një nga prioritetet e qeverisë shqiptare. Nga konferenca e nivelit të Lartë për Sigurinë Kibernetike në Ballkanin Perëndimor, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku tha se sulmet kibernetike të vitit 2022 nxorën në pah nevojën për të forcuar sistemet e sigurisë.
“Ndërkohë që zhvillojmë dixhitalizimin në fushën ekonomike, në infrastrukturat kritike, siç thamë në marrëdhëniet njerëzore duhet patjetër të zhvillohet edhe antidota që është cyber security. Nëse ka një dëshmitar i cili mund t’ju flas për këtë çështje është Shqipëria, sepse e kemi provuar nën lëkurë se çdo të thotë të zhvillohesh nga ana dixhitale dhe të ofrosh më shumë se 99% të shërbimeve online, pra si administratë publike, por sigurisht edhe fusha të tjera të sektorit privat, siç është ai bankar etj., dhe të gjendesh para faktit të një sulmi të jashtëzakonshëm të sponsorizuar fuqimisht nga qeveri të vendeve të tjera.”
Balluku shtoi se Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm në rrugën e sigurisë dixhitale, duke marrë masa konkrete.
“Krijimi dhe ofrimi i shërbimeve të besueshme dhe të sigurta në mjedisin dixhital ndërkufitar për ne është një nga prioritetet qeveritare, prioritetet kombëtare, pasi ashtu siç kemi bërë edhe në fushën ekonomike ku e konsiderojmë Ballkanin Perëndimor si një të vetëm, ashtu duhet konsideruar edhe përsa i përket zhvillimeve dixhitale dhe është kënaqësi që e gjithë kjo paketë të jetë pjesë e Growth Plan për të cilin të gjitha vendet tona po punojnë në mënyrë individuale, por edhe të përbashkët. Shqipëria ka miratuar së fundmi ligjin e ri për komunikimet elektronike ku parashikohen dispozita për forcimin e sigurisë së rrjeteve të komunikimeve elektronike ku në veçanti parashikohen masa për garantimin e sigurisë së ofruesve, të furnizimeve gjithashtu.”
Balluku theksoi se Shqipëria është ndër vendet e para që ka transpozuar direktivën e NIS2 të BE-së, duke rritur kërkesat për sigurinë e infrastrukturave kritike të informacionit.
Tv Klan