Në një javë u shënuan 5,091 raste të reja dhe 92 viktima

Në Maqedoninë e Veriut, nga e hëna deri të premten, sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve të shëndetësisë, janë regjistruar 5,091 raste të reja me Covid-19 dhe 92 viktima.

Në total, rastet e infektimeve janë 37,499, prej të cilëve 13,568 janë aktive, kurse numri i personave që kanë humbur betejën me Covid shkon në 1,096. Përveç shkallës së lartë të rasteve pozitive që rezultojnë nga testimet, shqetësuese paraqitet edhe mungesa e kapaciteteve spitalore për të trajtuar pacientët me Covid.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në mëngjes ka takuar drejtues të disa klinikave të Shkupit që janë pjesë e personelit mjekësor në klinikat interne, ku njoftoi se prej sot vehen në dispozicion 150 shtretër për të mjekuar covid-pacientët. Aktualisht nëpër covid-spitalet trajtohen 895 pacientë.

Opozita në Maqedoninë e Veriut, kërkon krijimin e një qeverie të ekspertëve me profesionistë të fushës, që do ta menaxhonte situatën e rënduar me Covid-19. Ata kërkojnë përgjegjësi dhe dorëheqje nga Ministri Filipçe.

 “Joserioziteti dhe paaftësia e Filipçes solli situatën që të mbushen kapacitetet spitalore me pacientë të infektuar, para sezonit të dimrit dhe gripit sezonal. Nuk ka shtretër të lirë, kurse shëndetësia ka arritur në atë shkallë që pacientët të trajtohen nëpër oborret e klinikave”, tha Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.

Që nga fillimi i valës së vjeshtës janë mbi 17 mijë të infektuar në Maqedoninë e Veriut, kurse numri i rasteve aktive është rritur mbi 10 mijë. Krahas shifrave shqetësuese dhe presionit mbi spitalet e vendit, autoritetet nuk kanë rekomanduar masa të reja restrictive, duke bërë thirrje që të zbatohen ato që janë me fuqi.

Tv Klan