Nëndrejtori i Spitalit të Shkodrës, Lush Marku është shprehur se nuk ka rënë zjarr në spitalin e Shkodrës. Në një prononcim për mediat, ai ka thënë se sipas tij, në dhomën teknike të paneleve diellore, shtresa termoizoluese e cisternave të ujit ka nxjerrë tym.

Gjatë fjalës së tij, nëndrejtori i spitalit ka deklaruar se nga kontrolli i deritanishëm nuk është konstatuar ndonjë defekt teknik apo kontakt me rrymën e energjisë elektrike. Marku ka shtuar se nuk është prekur asnjë shërbim mjekësor në këtë spital teksa ka thënë se ka pasur vetëm disa dëme minimale të shtresës termoizoluese të depozitave të ujit sanitar.

Pyetje: A mund të na thoni diçka rreth zjarrit të rënë gjatë mbrëmjes së sotme në spitalin e Shkodrës?

Nëndrejtori i spitalit të Shkodrës, Lush Marku: Po ju informoj se nuk ka rënë zjarr në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Në dhomën teknike të paneleve diellore, shtresa termoizoluese e cisternave të ujit ka nxjerrë tym dhe vetëm si pasojë e kësaj ka dalë i gjithë ai tym që është parë. Nga kontrolli i deritanishëm, nuk është konstatuar se ka pasur ndonjë defekt teknik apo ndonjë kontakt me rrymën e energjisë elektrike. Të gjitha shërbimet, asnjë shërbim nuk është prekur nga ky tym që ka dalë, janë të gjitha shërbimet në funksion. Janë disa dëme minimale të shtresës termoizoluese të depozitave të ujit sanitar.

Pyetje: Sa i përket ofrimit të shërbimit për pacientët a ka pasur problematikë, a është dashur ndonjë evakuim?

Nëndrejtori i spitalit të Shkodrës, Lush Marku: Nuk ka pasur asnjëlloj problematike në lidhje me shërbimin spitalor, nuk ka qenë i nevojshëm evakuimi. Mund ta shikoni dhe këtu në katin e parë, ngjitur me ambientin kur ka dalë tymi.

Nga ana tjetër, policia ka njoftuar se rreth orës 19:30 në një dhomë në bodrumin e Spitalit të Shkodrës ku janë të instaluara pompat e ujësjellësit ka rënë zjarr. Policia dyshon se zjarri ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të shkakut të rënies së zjarrit.


NJOFTIMI I POLICISË:

Shkodër/Informacion paraprak | Rreth orës 19:30, në një dhomë në bodrumin e Spitalit Rajonal Shkodër ku janë të instaluara  pompat e ujësjellësit ka rënë zjarr, dyshohet si pasojë e një shkëndije elektrike.

Zjarrfikësit kanë ndërhyrë menjëherë duke shuar zjarrin nga i cili ka vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të shkakut të rënies së zjarrit.


/tvklan.al