Ky demostrim i Ministrit të Bujqësisë s’është gjë tjetër veçse një mashtrim i pastër. Më 21 mars të këtij viti, Edmond Panariti veshi vetë bluzën e bardhë të laborantit për t’u treguar shqiptarëve se prodhimet bujqësore të Lushnjes do të testoheshin në këtë laborator të ri, të inaguruar po këtë ditë nga ai vetë dhe do të çertifikoheshin nga ky institucion. U dha garanci për sigurinë e ushqimeve dhe i ftoi t’u besojnë mekanizmave të kontrollit ushqimor teksa bëri vetë analizën e parë.
Por kjo shfaqje do të shënojë pa frikë aktin me të paprecedent në historinë e Ministrisë së Bujqësisë. Drejtori i ISUV, Institutit të Sigurisë Ushqimore e Veterinare thotë se ky laborator nuk ka asnjë kapacitet për të kryer analizat e fitohormoneve, as mjetet e duhura e as specialistët dhe se vetëm tani do të nisë trajnimi i punonjëses së vetme të tij.
Një ditë më parë specialistë të bujqësisë leshuan alarmin për përdorimin e kimikateve në nivele 80 herë më të larta se normat e lejuara tek disa perime dhe ngritën shqetësimin se Laboratori i Lushnjes nuk është i aftë t’i kryejë analizat.
Por Ministria e Bujqësisë, nxitoi të reagonte me anë të një deklarate, në të cilën, këto shqetësime i cilësoi si të paverteta dhe spekulime mediatike.
Në deklaratë thuhet se analizat e insekticideve, metaleve të rënda dhe fitohormoneve kryhen sot nga laboratori i sapongritur i Lushnjes.
Por me këtë reagim Ministria e Bujqësisë vetëm sa e thelloi gënjeshtrën e titullarit të saj. Këtë e kuptoi edhe vetë ministri Panariti, i cili u detyrua të pranonte se kishte gënjyer fermerët dhe konsumatorët në ditën e inagurimit të laboratorit të Lushnjes.
Por a u mjafton konsumatorëve shqiptare të dëgjojnë Ministrin e Bujqësisë të pranojë se i ka gënjyer kur i garantoi se siguria e perimeve që ata konsumojnë çdo ditë çertifikohet nga një laborator, që në fakt nuk është i aftë ta bëjë këtë çertifikim? Ministri del garant për sigurinë e tyre.
Por a është e besueshme garancia e dhënë nga një ministër që gënjeshtrat nuk e ka problem t’i thotë edhe kur vihet në lojë shëndeti i konsumatorëve, aq më tepër që drejton një dikaster që ka detyrë sigurinë e prodhimeve ushqimore? Cilin version të Ministrit Panariti duhet të besojnë shqiptarët? Që domatja e kastraveci të jenë të sigurtë, nuk kanë nevojë për mbrojtje politike, aq më pak të Ministrit të Bujqësisë, por për kontrolle e analiza, sigurisht jo si këto të ministrit Panariti. Në Lushnje, ai tha se laboratorë të tillë do të hapen edhe në qytete të tjera. Kuptohet, s’është aspak e vështirë të gatuhen histori me ngritje institucionesh që s’funksionojnë.