Gazetarja: “Kjo është diploma që studentët e Universitetit “Ismail Qemali” kanë marrë dhe iu është dorëzuar nga rektorati në 25 korrik. Duket se rektori i universitetit e ka bërë fakt të kryer heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga universiteti. Pasi në këtë diplomë të dorëzuar në datë 25 korrik në asnjë cep të saj nuk figuron emri Ismail Qemali në emërtimin e universitetit.”
Tanush Shaska: “Dua të sqarojë se senati nuk ka të drejtën të ndryshojë emrin e universitetit, por vetëm propozon diçka të tillë. Emri i universiteteve ndryshohet vetëm me vendim të qeverisë.”
Deklarimi i rektorit Tanush Shaska vjen vetëm 4 ditë pasi kish firmosur 220 diplomat e reja për studentët e universitetit “Ismail Qemali”, por me emërtimin e ri universiteti i Vlorës, madje diplomat e reja janë firmosur dy ditë përpara se vetë senati i të njëjtit universitet të merrte një vendim.
Një fakt që e shndërron në një skandal të vërtetë çështjen që ka përfshirë në debat qarqet universitare dhe ato akademike. Për ndërrimin e emrit të universitetit tashmë edhe në diplomë nuk duket të jetë në dijeni dhe ministria e arsimit. I vetmi institucion që ligji e ngarkon të marrë një vendim të tillë.
E pyetur nga televizioni Klan zëdhënësja e ministrisë thotë se senati i universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për ndërrimin e emrit. Por duket se reagimin e zyrtarëve të ministrisë së Arsimit e pengon edhe një tjetër element i rëndësishëm për tu marrë në konsideratë, ndërrimi i titullarit të saj.
Vetëm një ditë më parë, Kuvendi miratoi dekretin për shkarkimin e Genc Pollos nga detyra e ministrit të arsimit dhe emërimin në të njëjtin funksion të Fatos Bejës./tvklan.al
Gazetare: Ornela Hila