Lajme Arkiva 2003
Kreu i socialdemokratëve ka konfirmuar hapur votën e tij të bardhë gjatë votimit të dy ministrave të rinj të kabinetit Nano. Skënder Gjinushi në një intervistë për TV Klan ka deklaruar se edhe kësaj here do të abstenojë në parlament duke i treguar Nanos se nuk duhet ti shpërfillë aleancat me aleatët e tij të dikurshëm.
Skënder Gjinushi: Partia jonë ka shprehur me kohë vërejtje serioze për qeverisjen. Veçanërisht për marrëdhëniet e lidershipit të drejtuesve të PS-së me Partinë Socialdemokrate, sepse këta drejtues, nuk kanë kontribuar fare në afrimin mes dy partive, madje nuk kanë respektuar asnjë marrëveshje. Problemi është që nuk është momenti për meremetime, apo për mbushje vrimash në qeveri. Është momenti për reflektim serioz të gjithë të majtës, për reflektim serioz të vetë Partisë Socialiste, lidershipit të saj pse ka ndodhur gjithë këto fenomene negative në bashkëpunim në taktikat elektorale, në vetë marrëdhëniet brenda Partisë Socialsite dhe se si duhen korrigjuar ato. Korrigjimi duhet të jetë shumë më radikal./tvklan.al