Lajme Arkiva 2003

Kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi është prononcuar sot për Tv Klan në lidhje me qëndrimin që do të mbajë kjo parti nesër gjatë votimit të ministrave të rinj emëruar nga kryeministri Nano. Zoti Gjinushi ka theksuar se është për vazhdimin e qeverisjes së majtë deri në fund të mandatit të tyre. Ndërsa në lidhje me votimin e kësaj force politike nesër në parlament ai u shpreh:

Skënder Gjinushi: Abstenimi ka qenë vota që kemi dhënë një vit më parë dhe vazhdimisht gjatë këtij viti sa herë që kanë qenë probleme që lidheshin drejtpërdrejtë me qeverinë, kurse për çështje të tjera ne kemi votuar më pro socialistëve, ose socialistët janë bashkuar me ne.

I pyetur për kontaktet që kryetari i socialistëve Nano mund të ketë deri nesër me kreun socialdemokrat për negociata, zoti Gjinushi u përgjigj kështu:

Skënder Gjinushi: Kjo qarkullon nëpër media, por sigurisht ka pasur edhe sinjale të tjera përveç medias por nuk ka asgjë serioze deri më tani, ose të konkretizuar. Është normale që aleatët të konsultohen në raste të tilla, por ka një vit që ne nuk sillemi si aleatë dhe kjo për faj të Partisë Socialiste./tvklan.al