Trajneri i Liverpool-it Arne Slot është i paduruar për përballjen kundër Manchester United, që do të luhet të dielën në “Old Trafford”. Holandezi kujton humbjen që pësoi në 2019 me Ajax-in në shtëpinë e “Djajve të kuq”. Tekniku thotë në konferencën për shtyp se nuk është e nevojshme që t’i kujtohet rivaliteti i madh mes të dyja klubeve.
“Kur ndjek futbollin për një kohë të gjatë, e di shumë mire rivalitetin mes këtyre dy klubeve. Ka për të qenë një sfidë ndryshe krahasuar me atë që luajtëm në SHBA. Atje tifozët ishin të ndarë 50% me 50%, kapaciteti i stadiumit rreth 80 mijë. Por atmosfera do të të jetë krejtësisht ndryshe, natyrisht, sepse nuk pres që gjysma e fansave të bëjnë tifo për ne. Të dyja skuadrat kanë shumë lojtarë të ndryshëm në fushë, kështu që nuk mund ta krahasoni atë lojë me përballjen e së dielës”.
Trajneri tha se ishte i kënaqur me ardhjen e sulmuesit Federico Chiesa, por ka vendosur që ta angazhojë atë gradualisht në mënyrë që lojtari të përshtatet pa vështirësi me të kuqtë. Italiani u ble për 12 mln euro nga Juventus, e gjasat janë shumë të pakta që ai të luajë në sfidën e së dielës kundër Manchester United.
Slot hodhi poshtë shqetësimet se Chiesa është një nga ata futbollistë, të cilët dëmtohen shpesh, e kjo do të përbëjë problem.
“Jam i emocionuar, nëse nënshkruajmë me dikë që mund të na ndihmojë dhe të përmirësojmë skuadrën. Një nga gjërat më të mira të punës këtu është kultura e ekipit. Ata punojnë shumë që të arrijnë qëllimet e tyre dhe mendoj se është e rëndësishme që lojtari i parë që afron ta ketë të njëjtën kulture. Ai punon shumë në fushë dhe jashtë saj, mund të shënojë gola dhe është agresiv pa top e mund të luajë në disa pozicione. Ne do të kujdesemi për të, sepse ai nuk është stërvitur shumë dhe më pas të shikojmë cilësitë e tij”.
Liverpool i ka fituar të dyja takimet e para të Premier League, ndërsa “Djajtë e kuq” e humbën përballjen kundër Brighton fundjavën e kaluar.
Klan News