Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Pasi kanë miratuar me dyer të mbyllura emrat e ekspertëve që do të ndihmojnë në punën e komisionit Olldashi, socialistët dhe demokratët përsëri do të hetojnë të ndarë, secili për periudhën që ju intereson.
Erion Braçe:- “Për atë periudhë që kemi kërkuar tek to, kemi marrë raportin e KLSH, kontrolli i prefekturës që është ushtruar nga 92 deri në vitin 2000 e më tutje edhe në Ministrinë e Kulturës ku ka vërtetë shkelje, sipas KLSH që është ushtruar në këto institucione”.
Ndërsa demokratët janë të interesuar më shumë për qeverisjen e kryebashkiakut Edi Rama dhe pa hequr dorë kanë shkuar sërish dy herë brenda ditës në Bashkinë e Tiranës, ku ende nuk është parë e arsyeshme që deputetët të marrin dokumentet e kërkuara.
Sokol Olldashi:- “Vazhdojmë të hasim në të njëjtin qëndrim tërësisht të papërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm dhe të paligjshëm nga ana e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Ju kemi dërguar të gjitha shkresat zyrtare për të katër ditë radhazi kërkesën për të na vënë në dispozicion dokumentet që ne na duhen, për fazën e mbledhjes së të dhënave në funksion të planit të hetimit dhe vazhdojmë prej ditësh të sorollatemi në këtë institucion, që është kthyer në një republikë më vete, ku nuk komandon askush dhe ku nuk komandon për fat të keq as ligji”./tvklan.al