Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Edhe pse nuk ka mbledhur deri tani ndonjë forum për të vendosur nëse do t’i përgjigjen ftesës së opozitës për tryezën e së premtes, socialistët kanë deklaruar paraprakisht qëndrimin e tyre. Nëpërmjet sekretarit Bardhyl Agasi, PS është shprehur kundër ndryshimit të Kushtetutës, rrjedhimisht dhe kundër ndryshimit të sistemit elektoral.
Bardhyl Agasi:- “Ne e konsiderojmë mbajtjen e kësaj tryeze, një punë paralele me komisionin bipartizan. Kjo do të thotë, që ne jemi të respektojmë komisionin të cilin e kemi ngritur bashkërisht pozita dhe opozita, të respektojmë rezultatet që do të japi ky komision dhe njëkohësisht të shprehim qëndrimin tonë, që PS nuk mendon që është e nevojshme të ndryshohet Kushtetuta”.
Ky qëndrim i PS, vjen 5 muaj pasi kryeministri Fatos Nano në kohën e tij të artë të marrëdhënieve me opozitën, kishte lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës madje edhe për çështje mjaft delikate të pragut elektoral. Kryeministri
Fatos Nano:- “Në këtë funksion, pragu i hyrjes për të cilin ju pyesni është një çështje e sistemit zgjedhor, e fiksuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe më lejoni të them, që nuk është një port e mbyllur, na rezulton një port e hapur, diskutime të mëtejshme politike që do të identifikonin konsensusin e mjaftueshëm parlamentar dhe përfaqësues, që këtë çështje nuk do ta kthente në bumerang as për institucionet dhe as në instrument ndëshkimi për partitë parlamentare”.
Megjithatë nga e premtja nga ndajnë dy ditë dhe deri tani në selinë e PD nuk ka mbërritur asnjë përgjigje zyrtare nga partitë e koalicionit qeveritar./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço