Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Ndërsa opozita ka dorëzuar të rifomuluar kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për Ramën, thuajse në të njëjtën kohë, deputetët socialistë kanë finalizuar një iniciativë të re. Grupi parlamentar socialist ka mbledhur 30 firma deputetësh, ku një i përket deputetit agrar Ndue Preka dhe kanë formuluar kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për interpretim të nenit të Kushtetutës, që detyron Parlamentin, për ngritjen e komisionit hetimor për çështje të veçanta.
Gramoz Ruçi:- “Kërkesën për interpretim përfundimtar, të fjalisë së parë të nenit 77 pika 2 të Kushtetutës, citoj, “Kuvendi ka të drejtë dhe me kërkesë të ¼ të gjithë anëtarëve të tij është i detyruar të caktojë një komision hetimi, për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Më konkretisht, grupi i deputetëve kërkon interpretimin, e gjerë dhe logjik, të frazës, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë, të përdorur në këtë nen të Kushtetutrës”.
Kreu i grupit parlamentar socialist sqaron se deri në momentin që do të ketë një përgjigje nga kushtetuesja, socialistët nuk do të marrin më asnjë veprim në lidhje me komisionin. Pasi kanë votuar njëherë, kundër ngritjes së tij në seancën e të hënës, Gramoz Ruçi përjashton mundësinë, për diskutim të çështjes para, marrjes së përgjigjes.
Gramoz Ruçi:- “Çdo debat dhe çdo përgjigje politike apo institucionale e kësaj pyetje, do të dalë vetëm pas kthimit të përgjigjes përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese”.
Për këtë lëvizje të socialistëve ka reaguar menjëherë shefi i opozitës Berisha.
Sali Berisha:- “Kjo është një lëvizje fatkeqe e tyre, kërkojnë ndihmën e Mark Abdisë, për të përligjur vendimin e tyre anti-Kushtetues. Në qoftë se do të kishim problemin më të vogël, duhet ta dërgonin në gjykatë. Por po me atë gjakftohtësi me të cilën i dhanë mandatin Valentina Leskaj, në kohën kur çështja ishte tek Fehmi Abdiu, një njeri që ka humbur çdo karakter njeriu dhe çdo moral, pranoi të gjykojë pasi i dha imunitetin parlamenti”.
Ndërkohë, i kontaktuar nga TV Klan, kreu i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu, nuk ka dhënë sinjale për trajtim të kërkesës me prioritet, duke thënë, se socialistët të presin radhën./tvklan.al