Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Mazhoranca socialiste ka kundërshtuar kalimin në seancë plenare të kërkesës së riformuluar të opozitës, për ngritjen e komisionit hetimor për Ramën. Mes debateve që kanë zgjatur rreth një orë në byronë parlamentare, kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi ka deklaruar, se nuk jep konsensus për ngritjen e komisionit.

Jozefina Topalli:- “Kur vihet në pikëpyetje ngritja e komisionit kushtetues është automatik, tre çështje vihen në pikëpyetje, kërkesa, përbërja, afati. Ju lutem na thoni, për cilin prej këtyre tre pikave ju nuk jepni konsensusin, që dhe ne të shikojmë veten dhe t’u përgjigjemi ju, se kështu s’kemi si shkojmë në seancë plenare, kur s’dimë se ku i keni ju ato pikëpyetjet tuaja, që s’ju vijnë përshtat me atë që ne kërkojmë”.

Gramoz Ruçi:- “Unë u them dhe njëherë, s’jap konsensus, do ti, t’u futemi komenteve meqë e do? Atëherë po ju them, ti thua ke ndryshuar objektin, unë hë për hë po të them të kundërtën e kësaj, s’keni ndryshuar asgjë, vetëm keni hequr emrin Edi Rama dhe e keni lënë siç është. Këtë gjë do ta diskutojë me juristë, me konstitucionalistë, me Gjykatë Kushtetuese dhe me të gjitha dhe do vijë në seancë të parlamentit dhe që mund ta miratojmë”.

Grupet parlamentare të opozitës i kanë qëndruar besnikë deklaratës së firmosur prej tyre javën e kaluar. Ata kanë paralajmëruar se në seancat parlamentare do të diskutohet vetëm për ngritjen e komisionit, derisa kjo çështje të zgjidhet. Në funksion të kësaj ata kanë propozuar shtyrjen për kalendarin tjetër dyjavor të diskutimit të komisionit hetimor për taransparencën e firmave piramidale, për t’i hapur rrugë ngritjes për komisionit për Ramën./tvklan.al