Deklarata e Metës, i cili i dha fund çdo lloj shprese për koalicion të mundshëm për zgjedhjet e 2009, ka zhgënjyer socialistët. Këta të fundit duket se prisnin shumë më tepër pas bisedimeve që kryetarja e grupit parlamentar Leskaj, zhvilloi me nën kryetarin e LSI Xhufi në lidhje me ligjin elektoral dhe format e bashkëpunimit zgjedhor.

Në një konferencë për shtyp bashkëkryetari socialist i komisionit të posaçëm për kodin zgjedhor Fatmir Xhafa i ka cilësuar pretekste pretendimet e bëra publike nga Meta sipas tij.

Fatmir Xhafa: “Ndërkohë që publiku i gjerë dhe veçanërisht opozita, vlerësoi faktin e vendosjes së këtij dialogu politik, zoti Meta nxitoi që publikisht të shpallte kundërshtimin e tij dhe faktin që ai nuk do të ishte pjesë e koalicionit me PS-në dhe partitë e tjera të opozitës. Ky ishte mesazhi që priste të dëgjonte zoti Berisha.”

Edhe pse deklaron se PS është e hapur më të gjitha partitë e majta për të diskutuar mbi çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me kodin zgjedhor, Xhafa bën të qartë se për pika si administrimi i zgjedhjeve apo koalicionet e përbëra, për të cilat ka shfaqur pretendime Meta, socialistët nuk mund të lëshojnë pe.

Fatmir Xhafa: “Koalicioni i përbërë është ajo për të cilën është folur shpesh mungesa e Dushkut, pra nëse realisht duam të eliminojmë Dushukun kështu edhe Dushku i ri ligjor. Ne mendojmë se kontrolli ligjor mbi procesin duhet t’i mbetet tërësisht arbitrit të paanshëm gjyqësor.”

Ndërkohë Xhafa ka komentuar dhe lajmin e publikuar në disa media dhe të dalë nga mazhoranca e djathtë në lidhje me datën e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 2009.

Fatmir Xhafa: “Zgjedhjet zhvillohen këtej e tutje me kushtetutë, me ndryshimet e reja të kushtetutës zhvillohen në periudha zgjedhore. Periudha zgjedhore që i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare është 15 mars-30 qershor. Data e zhvillimit të zgjedhjeve është ekskluzivitet i presidentit të republikës. Kompetencë të cilën askush nuk mund t’ia marri edhe kryeministri që ka shumë ëndrra pushtetesh në këtë vend. Duhet t’u kujtoj shqiptarëve që ky kryeministër nuk do ti mbajë premtimet. Kjo mazhorancë ka deklaruar që zgjedhjet do të bëhen me karta të reja të ID. Nëse mazhoranca ka kuptuar që nuk e bën dot këtë gjë dhe ka filluar të nxjerri burime të panjohura, pastaj kjo është një çështje tjetër.”/tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka