Sondazhi i radhës i qendrës për studime humanistike “Gani Bobi” i publikuar në mbrëmje në televizionin Klan, e nxjerr fituese PD edhe në qarkun e Elbasanit. Sondazhi është publikuar drejtpërdrejt në transmetim ku ishin ftuar analistët Mentor Nazarko, Artan Hoxha dhe vetë përfaqësuesi i qendrës Shkëlzen Maliqi.

Sipas këtij sondazhi me 1600 të anketuar PD rezulton fituese me një diferencë prej mbi 7% kundrejt PS.

Sonila Meço: “Për PD do të votojnë 49.3% e të deklaruarve në anketimin e realizuar nga Gani Bobi, 41.6% për PS, 4.3% për partinë G99, 2.7% për LSI, 0.7% PSD, Poli i lirisë 0.4, PA 0.4, PBDNJ 0.2, PR 0.2, PBI 0.1, PDK 0.1.”

Qarku i Elbasanit nxjerr 14 deputetët në legjislaturën e re. Sipas sondazhit 38.5% e të intervistuarave e kanë cilësuar kryeministrin Sali Berisha si të suksesshëm, 31% disi, ndërsa 28.2% të pasuksesshëm.

Përsa i përket standardit të jetesës gjatë 4 viteve të ardhshme mbi 70% e të anketuarve mendojnë se ai do të jetë më i mirë. Marzhi i gabimit në këtë sondazh është 2%. Gani Bobi do të publikojë një tjetër sondazh javën e ardhshme për qarkun e Fierit, që çon 16 deputetë në parlamentin e ri.

Duke ofruar kështu orientimin e publikut shqiptar, ndërkohë që i afrohemi zonës së nxehtë, ku Klan si gjithnjë i pari do të shpalli fituesin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Me një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe i kontraktuar nga kompania amerikane Pen schon berland, Gani Bobi ka publikuar exitpolle të cilat kanë qenë shumë pranë shifrave zyrtare dhe thuajse identike. Vlen të përmendet rasti i zgjedhjeve parlamentare të korrikut 2005, por edhe sondazhi i pa publikuar i vitit 2007 ku Gani Bobi gjeti fituesin e zgjedhjeve të mbajtura në Tiranë./tvklan.al