PD do të jetë fituese e zgjedhjeve të 28 qershorit me një diferencë prej 9% kundrejt PS. Ky është rezultati i anketimit të titulluar “Puls” i Qendrës për Kërkim dhe Zhvillim , i Institutit për Studime Publike Ligjore mbështetur nga agjencia e SHBA-ve për Zhvillimin Kombëtar USAID dhe ambasada Britanike në Tiranë.

Anketimi i kryer në 20 maj tregon se në nivel kombëtar 43% e shqiptarëve do të votojnë për PD-në dhe 34% për PS-në. Thënë ndryshe PD renditet si forcë e parë politike me 9% diferencë kundrejt partisë më të madhe në opozitë asaj socialiste. Kufiri i gabimit në këtë rast llogaritet në nivelin e 3%.

Anketimi jep të dhëna mbi ecurinë e pajisjes së shtetasve me karta ID. 33% e shqiptarëve në nivel kombëtar të cilët dëshirojnë të votojnë, pohojnë se ende nuk zotërojnë dokument identifikimi të vlefshëm për votim.

Nga votuesit potencial pa dokument identifikimi 97% e tyre tregojnë se janë duke pritur kartat e reja të identifikimit. Këtu kufiri i gabimit llogaritet në 6%, pjesa tjetër prej 3% janë duke pritur për forma të tjera identifikimi të vlefshme ose jo.

“Puls” publikon gjithashtu rezultate mbi orientimin e votës së këtyre shtetasve të pa pajisur me kartë ID. Në këtë rast më e dëmtuar rezulton të jetë PD, pasi 42% e votuesve të mundshëm që ende nuk kanë karta ID thonë se do të votojnë për PD, ndërsa vetëm 32% PS.

Një diferencë kjo me 10% në favor të partisë që qeveris vendin. Çfarë do të thotë se pajisja e këtyre shtetasve me kartë do të thellonte dhe më shumë diferencën në favor të PD-së.

Anketimi raporton gjithashtu se 90% e shqiptarëve në moshë për të votuar do të votojë në 28 qershor, vetëm 8% e tyre thonë se mund të mos votojnë kryesisht sepse nuk besojnë tek partitë politike.

12% e shqiptarëve të cilët dëshirojnë të votojnë nuk janë të sigurt për cilën parti do të votojnë, ndërsa 6 % e votuesve potencial do të votojnë për një nga partitë e tjera.

Megjithatë “Puls” thotë se asnjë nga partitë e tjera të vogla nuk siguron numër të mjaftueshëm votuesish potencial që do të mund të matej prej anketimit. Në 20 maj 12% e shqiptarëve të cilët duan të votojnë tregojnë se do të votojnë për një parti të ndryshme nga ajo për të cilën kanë votuar në vitin 2005. Ndërsa 13% tregojnë se nuk kanë votuar në vitin 2005.

Të hënën në datën 8 qershor, Qendra për Kërkim dhe Zhvillim dhe Instituti për Studime Publike ligjore do të zbardhin të dhënat të detajuara rreth këtij anketimi që ka angazhuar të paktën 1 mijë shqiptarë mbi moshën 18 vjeç të intervistuar direkt. Ata janë përzgjedhur në mënyrë rastësore mes datave 7 maj dhe 20 maj 2009.

Kompania amerikane … Sistem me seli në Virginia e specializuar me punët në shoqëritë në tranzicion, ka mbështetur teknikisht kryerjen e këtij anketimi me një kufi gabimi vetëm prej 3%./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi