Kombëtarja shqiptare luan mbrëmjen e sotme njëren prej finaleve të Nëntorit në Ligën e Kombeve. Ndaj Republikës Çeke kërkohet fitorja për të mbajtur gjallë shpresat për fitimin e grupit B1.
Mision për të cilin ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare, Armand Duka. Përmes një statusi, ai kërkon nga tifozët dhe lojtarët qytetari dhe mikpritjen tonë, ndërsa shton se në fushë duhet të stadium duhet të fitojë futbolli.
”Sonte vazhdojmë rrugëtimin tonë në UEFA Nations League, ndaj Çekisë me të cilën jemi përballur shpesh në dy vitet e fundit dhe kemi përjetuar emocione të shumta. Të gjithë presim një ndeshje të fortë dhe angazhimin maksimal të të gjithëve në fushën e blertë dhe në shkallët e stadiumit. Sonte duhet të fitojë futbolli, nga momenti i këndimit të himneve e deri në vërshëllimën e arbitrit për të mbyllur ndeshjen. Le të tregojmë qytetari, maturi dhe atë që shqiptarët e kanë pasur gjithmonë, mikpritjen” shkruan presidenti Duka.
Ndeshjen Shqipëri – Çeki që do të nisë në orën 20:45 do ta ndiqni direkt në Tv Klan.
Klan News