Drejtuesit më të lartë të shtetit kanë shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Anastas Janullatos. Presidenti i Republikës në mesazhin e tij shkruan se trashëgimia e tij do mbetet në zemrat e besimtarëve.

“Fortlumturia e tij ka udhëhequr Kishën me mençuri, përkushtim dhe dashuri për njerëzit, duke kontribuar në forcimin e saj dhe në krijimin e një rruge të re për besimin ortodoks shqiptar, veçanërisht pas periudhës së vështirë të kaluar. Në këtë moment të dhimbshëm, shprehim ngushëllimet tona më të thella për Kishën dhe për gjithë besimtarët, që humbën atin dhe kryebariun e tyre, një udhëheqës të dashur dhe të nderuar”.

Edhe kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për besimtarët ortodoks dhe bashkëpunëtorët e afërt të kryepeshkopit Janullatos.

“Keqardhje për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos dhe duke uruar që të prehet në paqe t’i përcjell ngushëllimet e mia të gjithë bashkëpunëtorëve të tij dhe anëtarëve të komunitetit, besimtarëve ortodoksë”.

Mesazh ngushëllime në rrjetet sociale ka shpërndarë edhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali, e cila veç mesazhit të ngushëllimit thekson se Kryepeshkopi Anastas, për më shumë se tre dekada, ringriti dhe konsolidoi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri e në botë.

“Dielli perëndoi përgjithmonë për Fortlumturinë e tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasios Janullatos”, shkruan kreu i opozitës Sali Berisha në Facebook, duke shprehur vlerësimin e tij për kontributin e pavdekshëm të tij në ringjalljen nga shkrumbi i diktaturës komuniste të Kishës Autoqefale të Shqipërisë.

Mesazhe ngushëllime kanë shprehur edhe krerët e besimeve të tjera, fetare, katolik dhe mysliman. Arqipeshkvi katolik i dioqezës Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj në mesazhin e  tij e falenderoi kryepeshkopin Anastas për vëllazërinë në unitetin e të krishterëve dhe dialogun ndërfetar në Shqipëri.

Klan News