Mediat greke shkruajnë se Kryeministri Kyriakos Mitsotakis do të jetë në Tiranë të enjten për të marrë pjesë në funeralin për kryepeshkopin e ndjerë Anastas Janullatos.
Të dielën ai mori pjesë në liturgjinë hyjnore të mbajtur në Mitropolinë e Athinës. Të pranishëm në në liturgji ishin edhe Presidentja Sakellaropoulou, kryeparlamentari Kaklamanis, ministra të qeverisë greke, kryetari i partisë PASOK, kryebashkiaku i Athinës e kryepeshkopi i Greqisë Ieronimos. Nuk munguan as eurodeputeti Fredi Beleri si dhe Pirro Dhima.
Siç shkruajnë mediat në kortezhin mortor do të marrë pjesë edhe Patriarku Ekumenik Bartolomeu.

Kujtojmë se pas vdekjes së Kryepeshkopit Anastas Janullatos, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë shpalli zi kishtare për pesë ditë, nga 25 Janari deri më 29 Janar. Sinodi i Shenjtë njoftoi se trupi i kryepeshkopit të ndjerë do të vijë pasditen e së martës. Pas pritjes, homazhet do të mbahen brenda në Katedrale gjatë pasdites dhe gjatë gjithë 29 Janarit.
Ndërkohë shërbesa e varrimit do të kryhet ditën e enjte në orën 11:00 pas Liturgjisë Hyjnore. Po ashtu Sinodi i shenjtë zgjodhi Mitropolitin e Korçës, Imzot Joanin si mbikëqyrës të Fronit Kryepiskopal.
Të dielën, në ditën e parë të zisë kishtare për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, në Katedralen Ngjallja e Krishtit në Korçë u mbajt gjatë mëngjesit shërbesa e përshpirtjes. Dhjetëra besimtarë janë falur edhe në Fier e Elbasan./tvklan.al