Shuhet në moshën 95-vjeçare Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos. Ai drejtoi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për 33 vite.

Janullatos ishte transferuar në spitalin “Evangelismos” të Athinës që prej të premtes së 3 Janarit [2025]. Ai qëndroi në monitorim nga ekipet mjekësore greke, por së fundmi gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm.

Sipas asaj që raportojnë mediat, ai pësoi një gjakderdhje të brendshme për shkak të një virusi. Edhe më herët, Janullatos kishte paraqitur probleme në shëndet.

Gjatë qëndrimit në spital, Janullatos u vizitua edhe nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, duke treguar në këtë mënyrë edhe interesin nga bota politike, fetare dhe shoqërore për gjendjen e kryepeshkopit të Shqipërisë.

Kryepeshkopi Anastas Janullatos lindi në Pire të Greqisë në vitin 1929. Në vitin 1992, ai u bë kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. I lindur grek, në vitin 2017 atij iu dha nga Presidenti Ilir Meta nënshtetësia shqiptare (Lexo më shumë).

Janullatos njihet për punën e tij fetare dhe sociale. Mediat greke shkruajnë se ai punoi për ringjalljen e Kishës Ortodokse në Shqipëri, forcimin e bashkëjetesës së komuniteteve fetare dhe zhvillimin edukativ dhe të strukturave shoqërore.

Në 2 Gusht 1992 ai u fronëzua si kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, diçka që u kundërshtua asokohe si pasojë e kombësisë së tij greke dhe tensioneve në kohë të ndryshme të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Greqisë.

Në vitin 2017, vetë Janullatos deklaroi për mediat greke se është koha që Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare të drejtohet nga një shqiptar. Ai u shpreh se u dërgua në Shqipëri për të krijuar Kishën Shqiptare dhe jo një koloni (Lexo më shumë).

“Dëgjoni… Ne grekët nuk kemi guximin ta vëmë veten në vendin e tjetrit. E imagjinon dot? A do të kishim lejuar ne të kishim dikë nga Serbia apo Bullgaria që të na drejtonte kishën? Unë nuk shkova aty për të krijuar një koloni, por për të krijuar Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare”, tha ai në Dhjetor të vitit 2017./tvklan.al