Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe SHÇBA e Policisë së Durrësit kanë arrestuar në flagrancë një punonjës policie të Kavajës, për akuzën e korrupsionit pasiv.
Polici me iniciale I.D., i cili mban detyrën e specialistit për hetimin e krimeve në Policinë e Kavajës, mori një shumë parash për të ndryshuar cilësimin e veprës penale për një të arrestuar.
Gjatë ushtrimit të detyrës, polici me iniciale I.D. i ka kërkuar një shtetasi shumën prej 4,000 eurosh me qëllim favorizimin për mos arrestim në flagrancë të djalit të tij. I riu kishte kundërshtuar Patrullën e Policisë, duke thyer Aktin Normativ gjatë pandemisë.
Me qëllim ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga “Kundërshtim i punonjësit të Policisë” në “Mosbindje ndaj punonjësit të Policisë”, oficeri i policisë kërkonte shumën e parave prej një periudhe disa mujore në formë kërcënimi, si dhe duke ushtruar presion në ambientin e biznesit të qytetarit.
Forcat e policisë ndërhynë për të arrestuar kolegun e tyre gjatë shkëmbimit të parave. Polici me iniciale I.D. u arrestua në flagrancë, si dhe u sekuestrua shuma prej 4 mijë Eurosh dhe celulari i tij./tvklan.al