Prokuroria e Posaçme ka dërguar për ekspertim audio-regjistrimin e komunikimeve që pretendohet se janë mes efktivëve të Gardës gjatë protestës së 21 Janarit, ku humbën jetën 4 persona. Do të jetë laboratori i SPAK, ai i cili do të provojë vërtetësinë e këtij regjistrimi të depozituar nga gazetari, Artan Hoxha.

Gjithashtu, hetuesit kërkojnë të identifikojnë zërat e personave që komunikojnë në atë audio-regjistrim prej 36 minuta. Sipas përmbajtjes së bisedave, komunikimet kanë të bëjnë me kohën kur efektivët kanë qëlluar mbi turmën e protestuesve. Pas rihapjes së çështjes, SPAK ka kërkuar marrjen e të gjitha provave dhe fashkikujve hetimorë të krijuar në gjithë këto vite.

Po ashtu, ka nisur të marrë deklarimet e personave që dyshohet se kanë dijeni për atë se çfarë ka ndodhur në protestën e 21 Janarit. Mes tyre janë dhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj si dhe ish-Zv.drejtori, Agron Kulicaj.

Pas marrjes në pyetje nga SPAK, të dy ata u shprehën për mediat se kanë zbatuar vetëm ligjin dhe se në atë protestë, punonjësit e policisë ndonëse u përballën me dhunë, nuk reaguan.

Tv Klan