Rrëzohen akuzat për shpërdorim detyre dhe pastrim parash
Adriatik Llalla është zyrtari i parë i lartë që merret i pandehur zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme. Ish-Prokurori i Përgjithshëm do të përballet në gjykatë me akuzën e “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Konfirmimi zyrtar nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion saktësoi në njoftimin për mediat se Llalla e konsumoi këtë vepër penale në 3 raste, pa dhënë detaje të tjera për rrethanat e çështjes.
Hetimet për ish-Prokurorin e Përgjithshëm u regjistruan fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 Mars 2018. Por fillimisht prokurorët regjistruan 3 akuza ndaj tij, atë të fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Dy prej këtyre akuzave janë rrëzuar.
Në Korrik 2018, pronat e ish-Prokurorit të Përgjithshëm u vunë nën sekuestro. Në atë kohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.
Tv Klan