SPAK merr zyrtarisht të pandehur deputetin socialist Plarent Ndreca. Përmes avokatit të tij, Ermal Yzeiraj, Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”.
Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
SPAK nisi hetimet pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky institucion dyshon se zyrtarë të ministrisë së Brendshme kanë lejuar shkeljen e ligjit në tenderin për rikonstruksionin e Komisariateve të Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.
Gjithashtu KLSH thekson në njoftimin e Korrikut të viti 2021 se, ka pasur rritje të paargmentuar të vlerës së kostove të projektit në procedurën e prokurimit. Auditi financiar u krye në ministrinë e Brendshme për vitet 2018, 2019 dhe 2020.
Në lidhje me këto shkelje Kontrolli i Lartë i Shtetit depozitoi kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Klan News