Urdhri ekzekutiv i qeverisë amerikane për të ndaluar implementimin e programeve të asistencës ndërkombëtare ka prekur edhe mjaft institucione në Shqipëri, një prej tyre SPAK, institucioni kryesor i dalë nga reforma në drejtësi. Prokuroria e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar reagoi në lidhje me këtë vendim, duke thënë se financiarisht varet nga Buxheti i Shtetetit, por e konsideron thelbësore mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“SPAK është një institucion i pavarur, i cili mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit. Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prej krijimit kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët  kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve: OPDAT, ICITAP, DEA, FBI.Mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK dhe konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve.”

Megjithatë, përtej financimit shtetëror, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) kanë përfituar ndihmë të konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, të cilat kanë kontribuar në rritjen e kapaciteteve të hetuesve dhe prokurorëve shqiptarë.

Ndihma e Shteteve të Bashkuara për SPAK ka konsistuar në Trajnime dhe vizita studimore për hetuesit dhe prokurorët shqiptarë në institucionet amerikane të drejtësisë; Pajisje teknologjike për përmirësimin e kapaciteteve të hetimit dhe ndjekjes së çështjeve dhe në Sisteme të avancuara të menaxhimit të çështjeve që ndihmojnë në trajtimin më efikas të hetimeve. Nëse vendimi i administratës së presidentit Trump prek programet e trajnimit dhe asistencës teknike për SPAK-un, kjo mund të krijojë sfida për vijueshmërinë e reformave në drejtësi.

Ambasada Amerikane mësohet se e ka njoftuar qeverinë shqiptare dhe mbi 32 institucione në vend për pezullimin e ndihmës, si Gjykatën Kushtetues, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të gjitha gjykatat dhe komisionet e vetting-ut, Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, AKSHI, SASPAK dhe disa degë të pushtetit lokal.

Autoritetet amerikane kanë deklaruar se ngrirja e fondeve do të zgjasë për të paktën 3 muaj.

Tv Klan