Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi nga afër ecurinë e punimeve për rehabilitimin e aksit rrugor Fier-Kthesa e Patosit-Fratar.
“Ne jo vetëm po e rehabilitojmë rrugën e re prej 3,7 km, por nga ana tjetër këtu sot ndodhemi në segmentin ku ndërtohet rrugë e re për 3.7 kilometra”, shprehet zv.Kryeministrja Belinda Balluku.
Balluku vuri në dukje se, investimi në infrastrukturën rrugore do të nxisë zhvillimin e sipërmarrjeve agroturistike.
“Kemi shumë familje të kthyera nga emigracioini të cilët janë përgatitur që të kenë një investim në agroturizëm, por kjo do të bëhet e mundur duke pasur parasysh që rruga do të rehabilitohet plotësisht”, tha Balluku.
Balluku theksoi se, investimi parashikon të përfundojë në pranverën e viti 2026. Punimet në këtë segment po ecin me ritëm të shpejtë dhe në të gjithë gjatësinë e rrugës do të ngrihen tre ura.
Pjesë e projektit rrugor është edhe ndërtimi i trotuareve, si edhe pajisja e rrugës me ndriçim dhe sinjalistikë. Aksi rrugor Fier-Kthesa e Patosit-Fratar është me një gjatësi prej afro 43 kilometrash.
Tv Klan