Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në vendimet e fundit ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 39.500 euro dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me 9.500 Euro për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

Për shkak të deklaratave të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë tubimit në Deçan, e cila e quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetshpallur” PZAP-ja dënoi Lëvizjen Vetëvendosje 10 mijë Euro. Me 5.500 Euro, LVV-ja u dënua shkaku i një postimi në Facebook të këshilltarit të kryetarit të Kuvendit, Feim Tahirsylaj, i cili kishte shkruar se “fitorja e opozitës do të ishte fitore vendimtare për Serbin gjenocidale”.

Me shumë të njëjtë, kjo parti u dënua edhe për një postim të kandidatit për deputet, Haxhi Avdyli, i cili, sipas vendimit të PZAP-së, ka përdorur gjuhë urrejtjeje dhe nxitëse kundrejt partive kundërshtare.

Gjithashtu, LVV-ja u dënua me 8 mijë Euro për shkak që aktorë të partisë penguan gazetarët në kryerjen e punës gjatë tubimit në Malishevë dhe Mitrovicë. Madje, siç thotë PZAP-ja, gjatë pengimit kanë përdorur edhe gjuhë që nxit dhunën ndaj gazetarëve.

Me 5.500 Euro, LVV-ja u dënua edhe për deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo në një tubim në Viti pati deklaruar se “kundërshtarët tanë janë bërë bashkë, pra klanet e krimit dhe korrupsionit janë bërë bashkë”.

Me 5 mijë Euro, partia në pushtet u dënua për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve në tubimet zgjedhore.

Ndërkohë, LDK-ja u dënua me 5.500 Euro për shkak të vendosjes së posterave në hapësira publike dhe në stacion të trafikut publik në Prishtinë. Për të njëjtën arsye, u dënua edhe 4 mijë Euro për vendosjen e posterave në rrugë publike në Pejë. PZAP-ja në vazhdimësi po dënon partitë politike për shkelje të ndryshme gjatë fushatës.

Tv Klan