I kalon Prokurorisë së Dibrës. PD: U varros hetimi i krimit elektoral

Vazhdon ping-pongu me hetimin e dosjes 184 për shitblerjen e votave në zgjedhjet e vitit 2016 në Dibër. Në Korrik të vitit të kaluar kjo çështje iu kalua Prokurorisë së Dibrës, pasi në atë kohë Krimet e Rënda argumentuan se nuk janë gjetur prova për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal.

Për çështje moskompetencë prokurori Klodian Braho e delegoi dosjen në Prokurorinë e Dibrës atje ku edhe dyshohet se ka ndodhur vepra penale. Transferimin e dosjes e miratoi edhe ish-kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku. Pas shortit të hedhur në Shtator, dosja u mor në dorë nga prokurorët Rifat Kojku dhe Belina Zeneli, dhe hetimet vijuan për akuzën e korrupsionit në zgjedhje.

Fillimisht Prokuroria e Dibrës zgjati me tre muaj hetimet, për t’ia deleguar më 22 Janar të këtij viti SPAK-ut. Por vetëm një javë pasi u shqyrtuan materialet në këtë Prokurori, çështja u rikthye sërish në Dibër dhe SPAK-u shpalli moskompetencë për çështjen, që u bë e njohur pas publikimit të disa përgjimeve nga gazeta gjermane BILD, ku degjoheshin funksionarë të lartë të Partisë Socialiste të cilët komunikonin me zyrtarë, biznesmenë dhe policinë lokale mbi rezultatin e zgjedhjeve.

Por demokratët e kanë cilësuar politik dhe kundër interesave të Shqipërisë vendimin e marrë nga kreu i SPAK-ut, Arben Kraja. Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi në një reagim thotë se kthimi i dosjes në Prokurorinë e Dibrës varrosi hetimin e një krimi të dokumentuar zgjedhor, kusht i Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave.

Tv Klan