Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, mirëpriti Drejtuesen e Prokurorisë Federale të Belgjikës, Ann Fransen, Prokurorin Federal, përgjegjës i seksionit në luftën kundër krimit, Geert Schoorens si dhe një delegacion prokurorësh belgë gjatë vizitës së tyre dy-ditore në Shqipëri. Mes tyre u diskutua mbi angazhimin e përbashkët për ta ngritur në nivele më të larta bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar.

Në një njoftim për mediat, SPAK thotë se Dumani theksoi përkushtimin e Prokurorisë së Posaçme për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht me agjencitë ligjzbatuese evropiane, për hetimin e rasteve komplekse që përfshijnë si Shqipërinë, ashtu edhe Belgjikën. Fransen vlerësoi nivelin e lartë të bashkëpunimit me SPAK dhe nënvizoi ruajtjen e këtij standardi komunikimi mes institucioneve duke e vënë theksin në ndarjen e informacionit dhe zhvillimit të hetimeve të përbashkëta, për të përballuar sfidat që paraqet krimi i organizuar në të dy vendet.

Në takime të veçanta me prokurorë të tjerë të Prokurorisë së Posaçme u diskutuan gjithashtu mekanizmat për përshpejtimin e komunikimit mes dy palëve dhe për qasje proaktive në shkëmbimin e të dhënave në kohë reale, duke rritur efikasitetin në ndihmën e ndërsjelltë juridike. Diskutimet u përqendruan në fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh për luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve dhe pastrimit të parave.

“Ky takim shënon një hap të rëndësishëm të SPAK në përmbushjen e objektivave të tij duke krijuar një perspektivë pozitive për bashkëpunimin mes autoriteteve shqiptare dhe atyre belge, në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të narkotikëve dhe pastrimit të parave. Me këtë nivel të ri angazhimi dhe mbështetjeje nga agjencitë ligjzbatuese evropiane, SPAK po rrit ndjeshëm kapacitetet në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri dhe vendet e Bashkimit Evropian“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme./tvklan.al