Spanja u shpall kampione e Europës për herë të katërt në histori, duke u bërë përfaqësuesja me më shumë trofe kontinentalë.
Iberikët mundën 2 – 1 Anglinë në finalen e Berlinit, të transmetuar ekskluzivisht në ekranin e Tv Klan, pas 90 minutash perballje plot emocione, falë golave të Nico Ëilliams dhe Oyarzabal.
Pjesa e parë e takimit të zhvilluar në Olympiastadion nuk solli rrezik të madh në të dy portat edhe Spanja e dominoi lojën me qarkullimin e topit.
Pas pushimit, Spanja u pa më e vendosur, madje zhbllokoi rezultatin që në fillimin e pjesës së dytë pas një kombinimi të dy të rinjve që shkruajtën historinë e këtij kampionati.
Nico Ëilliams mori një pasim të saktë të Yamal dhe e çoi topin në rrjetë duke mposhtur portierin Pickford. Spanjollët paten edhe disa raste të tjera për ta mbyllur sfidën, por shpërdorimi i tyre u dha zemër anglezëve, të cilët arritën ta gjejnë golin e barazimit në minutën e 73’ me Palmer, i cili sapo kishte hyrë në fushë.
Por Spanja reagoi shpejt. Presioni i iberikëve u rrit. Yamal detyroi fillimisht Pickford të bënte nje mrekulli. Por portieri i anglezëve nuk ia doli të ndalë Oyarzabal në minutën e 86’.
Sulmuesi i Real Sociedad, i cili zëvendësoi kapitenin Morata realizoi pas një kundërsulmi falë kombinimeve me Cucurella.
Spanja realizoi kështu një ëndërr, duke u bërë skuadra e vetme me 4 europianë, duke lënë pas Gjermaninë me 3 dhe Italinë e Francën me 2.
Një sukses ky nën drejtimin e Luis de la Fuente që më parë kishte fituar Europianin me përfaqësuesen e 19-vjeçarëve dhe 21-vjeçarëve.
Një rekord për Jamine Yamal, si golashënuesi më i ri në kampionatët europianë, vetëm 1 ditë para finales mbushi 17 vjeç dhe në mbrëmjen e ngritjes së Kupës u shpall lojtari më i mirë i ri i turneut.
Për Anglinë, ky ishte dështimi i dytë në finale pas atij të Euro 2020 ku humbi me Italinë. Një dështim edhe për trajnerin Gareth Southgate, i cili nuk arriti të realizojë ëndrrën prej 6 dekadash të “tre luanëve” për ta çuar një herë të vetme kupën në shtëpinë e futbollit.
Tv Klan