Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Spartak Ngjela në vijim të takimeve elektorale ishte i pranishëm në zonën numër 9, për të parë nga afër problemet e këtyre banorëve. Veç premtimeve për drita, ujë dhe rrugë të rregulluara, kandidati demokrat Spartak Ngjela, u ka premtuar këtyre banorëve, se do t’i kthejë zonës fytyrën e vërtetë historike të saj.

Spartak Ngjela:- Ne do ta ruajmë traditën, duhet të kemi respekt për traditën, këtu është gjurma e Tiranës historike. E kam me kast ardhjen, për të treguar që ne nuk e shuajmë memorien historike. Ka shenja që në Tiranë po tentohet të shuhet memoria historike, bile ka mendime që Tirana ka filluar të jetojë në vitin 2000, avaz i vjetër. Kjo është zonë shumë simpatike, ne do ta rikonstruktojmë”.

Për këto zgjedhje nga ana tjetër, kryetari i PD Berisha denoncon tentativat e kryebashkiakut Edi Rama për mos regjistrimin e 10 mijë demokratëve në zyrat e gjendjeve civile.

Sali Berisha:- “Jam këtu për t’i bërë të qartë Edvin Ramës, se do ta paguaj shumë shtrenjtë operacionin “Gonxhe”. Operacion me të cilin ka përjashtuar nga listat në Tiranë, nëpërmjet nëpunësve të padenjë, të pandershëm të gjendjeve civile. Deri tani 10 mijë do të ketë pasoja katastrofale mbi padrinon e Tiranës. E paralajmërojë, mos mendo se do të shpëtosh, duke shkelur të drejtat e qytetarëve të Tiranës”.

Gjithashtu Berisha ka kërkuar gjykimin me shpejtësi të aktit të një dite më parë, kryetarit të bashkisë së Kukësit, i cili rikandidon për PD Ylber Zeneli./tvklan.al