Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës Spartak Ngjela ka vijuar turin elektoral në zonën e Laprakës dhe në Bovillë. Në Laprakë Ngjela është takuar me zgjedhësit dhe ka përshkruar në këmbë një nga rrugët e kësaj lagje, duke theksuar edhe njëherë mangësitë e mëdha që vihen re në përmirësimin e infrastrukturës së kësaj zone.

Erdha këtu të shihja Amerikën, se kështu e kishin mburrur Laprakën, tha Ngjela, por po përballem me një kaos të vërtetë.

Spartak Ngjela:- “Kam ditë të tëra që kërkoja Amerikën e vogël që na thanë, në Afrikë jemi akoma, po kjo është e tëmerrshme. Banorët janë të irrituar, tregtarët kanë paguar pastrimin dhe ju e patë se në ç’gjendje ishte, megjithatë vazhdojmë fushatën të gjejmë Amerikë”.

Më pas Ngjela ka vazhduar drejt Bovillës për të konstatuar nga afër gjendjen e impiantit të ujësjellësit gjigand që furnizon me ujë qytetin e Tiranës. Sipas demokratëve impianti është në gjendje të shkëlqyer pune, por përsëri qytetarët e Tiranës nuk kanë ujë.

Spartak Ngjela:- “Kjo është për mendimin tim kështjella që do të dominojë tregun”.

Ndërsa gjatë pasdites Ngjela ka lënë mënjan shëtitjet e zhurmshme në lagjet e Tiranës dhe ka preferuar të kalojë një mbrëmje të qetë, nën shoqërinë e anëtarëve të shoqatës Tirana. Unë ju premtojë se këtë qytet do ta bëjmë së bashku, i ka thënë Ngjela tiranasve të vjetër dhe ka premtuar se gjatë mandatit të tij si kryetar bashkie, do të dijë të mbajë dhe të çojë përpara traditat e qytetit të tyre./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora