Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Strasburgu, qyteti i vogël francezo-gjerman, ishte etapa e radhës e testimit të autoriteteve shqiptare në lidhje me detyrimet që kanë marrë përsipër ndaj institucioneve europiane dhe kjo u pasqyrua qartë në tensionin dhe ankthin që pushtoi deputetët shqiptarë dhe gazetarët e paktë, të cilët ndoqën të enjten pasdite vonë fatin e rezolutës për Shqipërinë, e vendosur për diskutim në sallën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Socialistët Koçi e Dedja kanë bërë përpjekjet për të minimizuar problemet me zgjedhjet, duke i konsideruar si çështje thjesht teknike. Teza e socialistëve kishte të bënte me kalimin e Shqipërisë, në fazën e post monitorimit, çka nënkupton lehtësimin e kushteve që duhen plotësuar.

Nga ana tjetër Berisha e Topalli arritën gjatë një jave në Strasburg të shtojnë dozën e akuzave ndaj qeverisë shqiptare këtë radhë, në gojën e eurodeputetëve dhe rezultati ka qenë befasues, kur më tepër se 10 eurodeputetë u ngritën në këmbë kundër amendamentit të socialistit Koçi, i cili kërkonte që monitorimi për Shqipërinë të mos kushtëzohej me zgjedhjet. Madje me rezolutën e miratuar të enjten, në rast se nuk realizohen zgjedhje të standardeve demokratike, mund të rishqyrtohen kredencialet e delegacionit shqiptar.

Ndonëse nuk është folur për përjashtim të Shqipërisë, zgjedhjet janë konsideruar si një provë për vazhdimësinë e përfaqësimit tonë me të drejta të plota në të vetmin organizëm evropian, Këshillin e Europës. E lexuar mes rreshtave të rezolutës, ngrirja e marrëdhënieve të Tiranës me Strasburgun, do të kthehej në pengesë serioze për rrugën e nisur drejt BE. Kushtet e vëna ndaj Shqipërisë janë të njëjta me ato të BE dhe të NATO-s. Sipas reporterit Smoravinski, institucionet europiane presin rezultate konkrete jo vetëm nga zgjedhjet, por edhe në luftën ndaj korrupsionit trafiqeve dhe zbatimin e reformave.

Pretendimet e reporterëve evropian, socialisti Koçi i interpretoi si nxirje të realitetit. Kolegu i tij Dedja ftoi kryetarin demokrat Berisha të bashkëpunojë me socialistët në të mirë të vendit. Berisha preferoi t’ia linte rolin e akuzueses ndaj qeverisë zonjës Topalli. Nënkryetarja demokrate deklaroi, se nuk mund të ketë zgjedhje të pranuara në një kohë kur administrohen nga një KQZ e politizuar dhe jo i balancuar. Topalli fajësoi kryeministrin Nano, se po mban peng zhvillimin e zgjedhjeve normale në vend. Shenjat e mosmarrëveshjeve u dukën qartë, kur socialisti Koçi i kërkoi kryetares së seancës, të detyronte zonjën Topalli të linte sallën, sipas tij nuk ishte anëtare e delegacionit, por thjesht një zëvendësuese e Berishës. Edhe liderit demokrat nuk iu dha e drejta e replikës në nj rast, por Berisha u tregua tolerant duke i dhënë të drejtë kryetares socialiste të seancës.

Deputetët e paktë që morën pjesë në debat kanë mbështetur rezolutën, duke nënvizuar se Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan, që nuk ka realizuar zgjedhje të lira dhe demokratike. E veçanta e seancës së KE për Shqipërinë, ishte edhe fakti, se asnjë nga grupet parlamentare nuk janë ngritur për të diskutuar në seancë.

Gazetari: Zoti Berisha, si do ta konsideroni ju vendimin sotëm të Asamblesë Parlamentare?

Sali Berisha: “Mendoj se më rëndësi se të gjitha këto kishte vendimi, do ta quaja ogurzi. Sot për herë të parë KE vendos t’i nxjerrë kartonin e kuq një vendi anëtar, në mosbesim të plotë, për dhunimet e vazhdueshme të zgjedhjeve, KE përcaktoi kusht, ose zgjedhje të lira të ardhshme, ose heqjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar. Zakonisht kjo masë është marrë pas zgjedhjeve, ka ndodhur me Ukrainën kur janë dhunuar zgjedhjet në Kiev, ka ndodhur me Rusinë në një rast tjetër dhe është hera e parë në historinë e këtij institucioni që jepet një paralajmërim i tillë, pra tregon se ky institucion nuk ka pikën e besimit tek qeveria shqiptare dhe në këtë kontekst është një goditje tepër e rëndë që Fatos Nano i dha Shqipërisë”.

Gazetari: Zoti Dedja, cilat mendoni ju janë problemet kryesore, që e shtyn këtë organizatë të marri një vendim të tillë?

Taulant Dedja: “Unë e ftova zotin Berisha, sepse në fund të fundit qoftë sukseset, qoftë dështimet e Shqipërisë janë të përbashkëta, si për mazhorancën ashtu dhe për opozitën, por unë do të thoja që dëshira të ketë një bashkëpunim të frytshëm në të mirë të progresit të Shqipërisë nuk është vetëm e organizmave ndërkombëtare por mendojë se ky është edhe vullneti i shumicës absolute të popullit shqiptar dhe të zgjedhësve shqiptarë. Unë kam besim, se në qoftë se do të ketë një angazhim të plotë nga partitë politike, janë të gjitha shanset që të bëhet një progres shumë më i madh ën zgjedhjet e ardhshme që ato të jenë plotësisht në standardet dhe normat ndërkombëtare”.

Gazetari: Zoti Tepshi ju i kërkuat të dy partive politike shqiptare, që të bashkëpunojnë përsa i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Atëherë, pse KE nuk e hoqi monitorimin këtë radhë? Ndërkohë që kemi pasur një rast bashkëpunimi mes palëve.

Qazim Tepshi: “Rasti që kemi pasur bashkëpunim mes palëve nuk ka zgjatur dhe i dimë arsyet dhe secila nga këto dy partitë e mëdha vazhdon dhe ja hedh fajin njëra-tjetrës. Ju e keni vënë re edhe tek raportet që e kanë përgatit monitoruesit, e vënë theksin tek klima politike që duhet të krijojë Shqipëria, sepse ajo është esenciale për zhvillimin e Shqipërisë”.

Gazetari: Atëherë, si do ta vlerësoni ju qëndrimin e Asamblesë Parlamentare për vazhdimin e procedurës së monitorimit për Shqipërinë?

Petro Koçi: “Gjykoj që është një vendim jo i çuditshëm, sepse nuk është se ne ishim në ndonjë lloj debati lidhur me heqjen e monitorimit, por mendoj se ky proces nuk duhet konsideruar si dënim për Shqipërinë, në një farë mënyre të gjithë anëtarët e Europës monitorohen në procesin e sjelljes së tyre …”/tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame