Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryeministri Fatos Nano:- “Do të dëshiroja të hyja në temë, duke ju thënë menjëherë, se kam ndjekur me vëmendjen e duhur debatin publik, që zgjat prej kohësh, që shpesh është zhvilluar edhe me nervozizëm, por në thelb kam ndjekur me vëmendje të gjitha përpjekjet serioze, të bëra nga përfaqësuesit e radiove dhe televizioneve të lira, lidhur me parimin e të drejtës së autorit, për marrëdhëniet e shitblerjes së saj dhe për shqetësimin tonë të përbashkët, për luftën kundër fenomenit të piraterisë radiotelevizive, të piraterisë me të drejtën e autorit, lidhur me këtë fenomen dhe kam vendosur me një konsultim paraprak të ekspertizës qeveritare, ta përcjellë për miratim në qeveri, me autoritetin tim si kryeministër, në mbledhjen e sotme. Unë besoj se, nuk është ekuivok pohimi i kryeministrit dhe kryetarit të mazhorancës, se media gëzon liri të mbrojtur me ligj dhe kjo liri, ka krijuar mundësinë të shfaqen kontribute të tilla edhe si ky i sotmi, që është provë e vetëdijes tuaj, për të vendosur rregulla standarde të shoqërive perëndimore edhe në tregun mediatik. Unë shpreh bindjen, se ndryshimet që do të propozojmë me kontribute të përbashkëta tanimë, në ligjin për radiotelevizionin publik dhe privat në republikën e Shqipërisë, i hapin rrugë një procesi shumë të rëndësishëm, për të ardhmen e mbarë shoqërisë demokratike shqiptare, për autoritetin e pakontestueshëm që ka pushteti i medias në zhvillimin kombëtar dhe në integrimin tonë në vlerat moderne.

Unë besoj, se jeni ju që e dini më mirë se kushdo tjetër, që rruga e formimit të medias sonë të pavarur nuk ka qenë e lehtë, prandaj vendosja e veprimtarisë së saj në një kuadër ligjor aspak shtrëngues, por të standardeve të kohës, përbën jo vetëm shqetësimin tuaj, por dhe tonin, të qeverisë, të mazhorancës qeverisëse dhe jam i bindur të gjithë spektrit parlamentar, që përfaqëson progresin për t’u integruar në botën Euroatlantike. Mediat shqiptare, kanë përjetuar një liri që ka ardhur në zhvillim, që nuk ka ekzistuar më parë.

Ne, më lejoni t’ju konfirmojë, jemi të vendosur të vazhdojmë të ecet në këtë drejtim dhe si shprehje e filozofisë sonë për progres, që në krye të herës, nga ka karakterizuar angazhimi për të krijuar hapësira të lirisë, që ky pushtet të fuqizohet dhe të bëhet realisht, ashtu siç përgjithësisht është bërë, një nga format më të rëndësishme të shoqërisë tonë demokratike. Me lejoni gjithashtu t’ju informojë, se qeveria ka ndërmarrë një numër masash, për ta lehtësuar veprimtarinë tuaj nga pikëpamja ekonomike dhe financiare gjithashtu. Ne po vazhdojmë të identifikojmë aspekte të lehtësimit të barrës fiskale për median e lirë, në mënyrë që ajo të ketë frymëmarrje të lirshme edhe në planin e resurseve dhe në planin e menaxhimit të të ardhurave. Ne duam ashtu si ju, që tregu mediatik të karakterizohet nga një mjedis i ligjshëm dhe i konkurrencës së pa diskriminuar. Ne duam ashtu si ju, që tregu mediatik të karakterizohet nga një mjedis i ligjshëm dhe i konkurrencës së pa diskriminuar. Ky është një aspekt i luftës që ka ndërmarrë qeveria dhe mazhoranca që unë drejtojë kundër informalitetit në treg dhe në shoqëri.

Unë besoj, se me miratimin e këtij projektligji, që vjen kryesisht si iniciativë e juaja dhe nuk jam xheloz kur përgëzojë për këtë gjë dhe sidomos me vënien e tij në zbatim, e cila do të jetë kryesisht me iniciativën e shtetit, të administratës dhe të autoriteteve ligjore, të ngarkuara për këtë qëllim, ne do të vëmë më në fund rregulla të standardeve perëndimore, në këtë aspekt tepër të rëndësishëm që nuk është vetëm ekonomik, por që reflekton ndjeshëm dhe në cilësinë e punës së vetë mediave që ju drejtoni. Pra duke e mbyllur këtë çelje, më lejoni t’ju konfirmojë që ju kam pritur sot, për të shfaqur pa ekuivok, vendosmërinë time si kryeministër dhe si kryetar i mazhorancës, që ta thellojmë edhe në të ardhmen këtë proces, me iniciativa të partneritetit që shëndoshin realitetet e medias, tregun mediatik dhe sipërmarrjen e ligjshme në këtë fushë. Unë besoj se ky do të jetë një nga kontributet më të rëndësishme, që do të vazhdojnë të konsolidojnë proceset e përafrimit të Shqipërisë me realitetet moderne”./tvklan.al