Arta Tozaj: Zoti Husi, si kryenegociatori i bisedimeve teknike me NATO-n për çfarë është diskutuar sot në këtë raund të parë bisedimesh?

Glori Husi: “Sot përfunduam me sukses raundin e parë të bisedimeve zyrtare të negociatave me përfaqësues të NATO-s këtu në Bruksel. U diskutuan çështje të karakterit politiko-ushtarak, angazhimet që Shqipëria në kuadër të procesit të anëtarësimit të plotë të NATO-s merr përsipër si anëtare me të drejta të plota të Aleancës së shpejti. Në këto do të përmendim angazhimet e traktatit të Washingtonit, Shqipëria angazhohet të promovojë parimet e  traktatit të Washingtonit, parimet e demokracisë, lirisë individuale, shtetit të së drejtës bazuar në ekonominë e tregut, parime të politikave konstruktive për paqe, siguri, për zgjidhje paqësore të çështjeve të ndryshme që mund të dalin në arenën ndërkombëtare si dhe angazhimet në fushën e mbrojtjes, për të dhënë kontributin e saj në të gjitha misionet e Aleancës në shërbim të paqes dhe të sigurisë jo vetëm në zonën euroatlantike, por edhe më gjerë.”

Arta Tozaj: Çfarë do të ndodhë në raundin e dytë të bisedimeve që do të mbahen në datën 9 maj?

Glori Husi: “Në këtë sesion do të diskutojnë çështjet tekniko-ligjore. Çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, sigurinë e informacionit të klasifikuar, çështje që kanë të bëjnë me buxhetin e mbrojtjes. Me kontributin që Shqipëria do të japë në buxhetin e mbrojtjes, e përbashkët të Aleancës në shërbim të misionit të rëndësishëm që kjo aleancë ka. Ne do të hartojmë një plan masash konkrete, me reforma të përcaktuara qartë dhe afate të përcaktuara qartë, të cilat do të realizohen deri në momentin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO.”

Arta Tozaj: Për çfarë reformash bëhet falë?

Glori Husi: “Janë ato reforma të cilat ne si vend tashmë që ka hyrë në fazën finale të anëtarësimit, konsiderojmë të rëndësishme për të përmbushur ose për të përgatitur vendin për të marrë përsipër të gjitha obligimet dhe angazhimet e traktatit të Washingtonit që së shpejti kur të jemi anëtarë i plotë i NATO-s, Shqipëria të ketë po ato standarde si dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s.”

Arta Tozaj: Tashmë burime të NATO-s kanë deklaruar zyrtarisht se në 9 korrik do të firmosen protokollet përkatëse me Kroacinë dhe Shqipërinë, si dhe me Maqedoninë në qoftë se ajo do të mund të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë deri në këtë datë. Çfarë i mbetet Shqipërisë për të bërë nga kjo periudhë deri në prill të vitit të ardhshëm kur besohet se Shqipëria do të bëhet anëtare e plotë?

Glori Husi: “Pas mbylljes së negociatave hartohet plani i punës, nënshkruhen protokollet që ndryshojnë traktatin e Washingtonit, duke i hapur kështu rrugë anëtarësimit të plotë të Shqipërisë. Qeveria shqiptare po punon por të hartuar planin kombëtar të anëtarësimit, ciklin e 9 të këtij plani, mendojmë deri në pranverën e vitit të ardhshëm, është periudha kohore në të cilën ky plan do të pasqyrojë angazhimet të cilat do të përmbushë Shqipëria.”

Arta Tozaj: Çfarë sjell në raport me Bashkimin Europian të qenurit anëtar i NATO-s?

Lori Hysi: “Shqipëria, tashmë merr një çertefikim që ky është një vend i sigurt për investimet e huaja, është një vend me një demokraci funksionale, me një shtet të së drejtës, me një ekonomi të shëndoshë tregu. Zakonisht hyrja në NATO i ka paraprirë anëtarësimit në Bashkimin Europian për ato vende që aspironin si anëtarësimin në NATO ashtu dhe në Bashkimin Europian…”/tvklan.al