Marrëdhëniet Shqipëri-Bashkimi Evropian sot pas 19 vitesh tranzicioni të vështirë janë në një moment dukshin të ri që përmbush aspiratën gjithë shqiptare për integrim. Sot flitet më shuam se kurrë për atë çfarë përbënte një mollë të ndaluar për shqiptarët përgjatë gjithë viteve, lëvizjen pa viza nëpër Evropë. Finalizimi i përpjekjeve shtuar këtu edhe ambicien për kandidim u ka kushtuar shqiptarëve vite të tëra përpjekje.
Në vitin 1991 Shqipëria do të vendoste marrëdhëniet e para diplomatike me Evropën, një vit më vonë, nënshkruan marrëveshjen e tregtisë dhe bashkëpunimit duke përfituar nga programi FAR. Në vitin 1997 këshilli i çështjeve të përgjithshme në Bashkimin Evropian miraton përqasjen rajonale për vendet e rajonit tonë, kjo përcakton kushtet politike dhe ekonomike për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, ku do të përfshihej edhe Shqipëria.
Në vitin 1999, Shqipëria përfiton nga një tjetër projekt i Bashkimit Evropian, programi Cards, asistenca komunitare për rindërtim, zhvillim dhe stabilizim. Ishte ky momenti kur Bashkimi Evropian do të propozonte iniciativën e re, procesin e stabilizim-asociimit. Brenda të njëjtit vit Bashkimi Evropian zbaton dhe miraton studimin e fizibilitetit për marrëveshjen e stabilizim asociimit me Shqipërinë. Vendet e përfshira në këtë iniciativë do të konsiderohen më vonë kandidate potenciale për anëtarësim.
Në vitin 2000 Komisioni Evropian prezanton programin Cards për vendet e Evropës Juglindore. Për periudhën 2000-2006, brenda të njëjtit vit produktet shqiptare hyjnë pa doganë në tregun e bashkimit evropian. 2001 shënon vitin e parë të zbatimit të programit Cards për vendet e përfshira në procesin e stabilizim asociimit. Në qershor të këtij viti Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian miraton raportin Komisionit Evropian, mbi progresin e bërë nga Shqipëria dhe kërkon përgatitjen e projekt direktivës për negocimin e një marrëveshjeje të stabilizim asociimit. Marrëveshje e cila do t’i hapë rrugë krijimit të grupit konsultativ Shqipëri-Bashkimi Evropian.
Dy vjet më pas në 31 janar të vitit 2003, vizita e presidentit evropian Romano Prodi, do të shënojë hapjen zyrtare të negociatave mes Shqipërisë dhe komunitetit evropian. Kryekomisoneri Evropian do të theksonte në kuvendin e Shqipërisë rëndësinë e zbatimit të reformave, krimi dhe korrupsioni përbënin problemet kryesore për vendin.
Romano Prodi: “Bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës e qenieve njerëzore si dhe pastrimit të parave është prioritet kryesorë i Bashkimit Evropian. Këmbëngula në këtë pikë, pasi për fat të keq këtu mbeten ende probleme të mprehta në Shqipëri.”
Probleme që do të kalonin në një monitorim po aq të mprehtë të unionit. Nga Tirana në Bruksel do të zhvilloheshin disa raunde teknike dhe politike negociatash që do të vlerësonin progresin e shënuar. Raundi i par zyrtarë i negocimit do të zhvillohej në Tiranë, në 13 Shkurt të vitit 2003.
Në vitin 2005 në samitin e Brukselit, Bashkimi Evropian lëshon sinjalin e parë për të finalizuar marrëveshjen e stabilizim-asociimit, edhe në këtë rast reformat do të ishin kushti kryesor për të lidhur marrëveshjen. Vetëm një vit më vonë, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike procesi do të finalizohej me nënshkrimin e dokumenteve në Luksemburg, në 12 Qershor të vitit 2006. Kjo ishte një fazë më e avancuar në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe sigurisht edhe me sfida po aq serioze për tu kapërcyer.
Ursula Plasnik: “Realisht sot me këtë nënshkrim fillon dhe sfida e vërtetë, tashmë Shqipëria hyn në një fazë të re në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian, gjë që gjithashtu rrit përgjegjësinë.”
Sali Berisha: “12 qershori është një ditë me një kuptim të madh në historinë e Shqipërisë, nënshkrimi i marrëveshjes së stabilizim-asociimit është një përcaktim historik në drejtim të përmbushjes së ëndrrës shqiptare dhe bashkimit me familjen evropiane.”
Teksti i plotë i marrëveshjes përmbante 135 nene, 5 anekse dhe 6 protokolle, si dhe marrëveshjen e përkohshme Shqipëri- Bashkimi Evropian. Dokumenti do të mbështetej në 4 shtylla kryesore, dialogun politik dhe bashkëpunimin rajonal, dispozitat tregtare lidhur me realizimin progresiv të këmbimeve deri ne vendosjen e një zone tregtie të lirë mes palëve, liritë komunitare dhe së fundmi bashkëpunimi në fusha të tilla si drejtësia e çështje të brendshme…/tvklan.al