Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kanë publikuar këshilla dhe informacione mbi sjelljen e qytetarëve në rastet e kontaktit me gripin e derrit, një sëmundje infektive ngjitëse.
Virusi transmetohet nga një person tek tjetri nëpërmjet kollitjes, teshtimave ose dhe thjesht dhënies së dorës një personi të infektuar.
Mjeku i familjes duhet të jetë kontakti i parë për rastet e dyshuara dhe më pas vjen vetë izolimi.
Imelda Zeqo: “Për të gjithë personat që dyshojnë është më mirë të marrin në telefon sesa të paraqiten në qendrën shëndetësore, në mënyrë që të ruajmë personat e tjerë dhe duke marrë në telefon do jetë mjeku i familjes ai që do ketë kontaktin e parë me të sëmurin dhe për të ruajtur personat e tjerë do ishte shumë më mirë që dmth ai të izolohej deri diku në një dhomë më vete dhe të mundohet dmth shaminë, gjërat që ai përdor të mos i përdori te njerëzit e tjerë”.
Por dikush duhet të kujdeset për të sëmurin, ndaj mjekët këshillojnë që pas çdo kontakti me të të lahen duart, por më e rëndësishme mbetet mbajtja e maskës.
Imelda Zeqo: “Familjari duhet se s’bën të mbulojë pjesën, dmth, hunde edhe gojë, sepse mënyra e marrjes është gjithmonë me anë të spërklave nga hunda dhe nga goja.”
Një person i infektuar konsiderohet si përhapës i virusit përsa kohë ai ka shenja të tilla si temperaturë të lartë, kollë, teshtima e të tjerë deri në shtatë ditë pas shfaqjes së sëmundjes./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami