Mustafa Xhani: “Ministria e Shëndetësisë po punon edhe me institutin e fizikës bërthamore edhe me inatomin në Vjenë që sa më shpejtë të jetë e mundur, brenda një muaji apo disa muajsh të vij aparati këtu dhe ne të gjithë lehtësirat financiare që duhen për këtu do i sigurojmë”.
Ish Ministri i Shëndetësisë Xhani këtë prononcim e ka bërë në 30 janar të vitit që shkoi, por ende asgjë. Pavijonet e onkologjikut janë boshatisur, nuk janë shëruar pacientët, por janë larguar prej këtej se rreze nuk bëhen që prej një muaji e gjysmë. Aparati i kobalto-terapisë dhe ai i kancerit të lëkurës janë të prishur dhe problemi i hershëm i tyre përveç amortizimit qëndron te mirëmbajtja.
Kemi ndërruar ministra, por aparatet mbeten po ato. Një specialist nga Italia është duke punuar për aparatin e rrezeve të lëkurës, i cili prej një jave nuk funksionon, ndërsa për kobalto-terapinë pritet ditën e premte një mirëmbajtës nga Turqia.
Mjeku: “Aparati i ortovoltazhit, që trajton të sëmurët me kancer lëkure, do e rifilloj punën brenda 2-3 ditësh maksimumi. Zgjidhja definitive e këtyre aparaturave që janë unikale në të gjithë vendin, bëhet vetëm nëpërmjet lidhjes së kontratave vjetore, e rëndësishme është që aparati të mos lihet të prishet, sepse kur ndodh prishja, pagesa ose problematika është shumë e madhe, aparati i kobaltit i vjetër së shpejti, bile njoftim na erdhi që rreth datës 26, 28 të marsit vjen aparati i ri i cili në aspektin financiar çdo gjë është zgjidhur dhe do të kemi së shpejti një aparat krejtësisht të ri”.
Një aparat i tillë duhet të mbulojë 500-1.000.000 vetë, ndërkohë që ai ka mbartur 5.000.000 të tillë përfshirë edhe Kosovën.
Gazetarja: “Ndërrohen ministra, premtohet nga ai që ikën, por edhe nga ai që vjen, për një aparat të ri kobalto terapie”.
Mjeku: “Shpresojmë që me këtë ministër të ri edhe problematika të zgjidhet”.
Tani të riut Ministër Shëndetësie i duhet të përballet me kërkesën, por edhe rikonstruksione të këtij spitali të lënë pas dore./tvklan.al